TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Janar 2025, 19:58

Berisha, Topalli dhe vota e emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit

Shkruar nga Pamfleti

Berisha, Topalli dhe vota e emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit

Ata njerëz që ka nën komandë dhe sillen nëpër Tiranë duke lobuar për të pasur emrin në listë kandidatësh, në fakt duhej të ishin nëpër Europë ose SHBA në takime me ata emigrantët që vërtet mund të kenë ikur se s’kishin shpresë në Shqipëri, por as mund t’ua kthjë shpresën me ‘frymën e shenjtë’.   

Sali Berisha, kreu i PD-së, dhe Jozefina Topalli, e emëruar si drejtuese politike për Diasporën, kanë folur për zgjedhjet e 11 majit, angazhimin e emigrantëve si votues në zgjedhje, dhe pritshmëritë e mëdha të opozitës se vota e tyre do të mundësojë rotacionin politik në Shqipëri.

Por ajo që vihet re nga deklarimet e Topallit dhe Berishës është fakti se e para shpreh shqetësimin se PD është shumë e vonuar në këtë proces dhe më pas flet për presionin qeveritar, ndërsa Berisha shfaqet optimist se diaspora do mbështesë fuqimisht opozitës dhe jep shembullin e një emigranti që ka regjistruar 500 demokratë i vetëm. Dhe në këtë kuadër, Berisha kërkon që të merret si shembull ky emigrant dhe të gjithë të veprojnë si ai.

Që një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve që janë larguar nga vendi në të paktën 10 vitet e fundit mund të votojnë kundër Qeverisë kjo mund të jetë e vërtetë, por vota e tyre mund të mos shkojë në bllok te PD apo koalicioni që ajo mund të drejtojë, por të shpërndahet mes saj dhe partive të reja.

Ajo që dihet deri më tani është fakti Edi Rama përtej emërimit të Taulant Ballës si të dërguar politik për Diasporën, ka angazhuar grupet e deputetëve dhe ministrave, por edhe kryebashkiakë, në të paktën dy vendet ku mendohet se është numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, Greqia dhe Italia.

Po kështu ka një angazhim të partive të reja, veçanërisht Adriatik Lapajt, që ka organizuar disa takime me shqiptarë të Diasporës, ndërsa në mënyrë sporadike ka një angazhim të Jozefina Topallit, por vetëm kaq.

Ndoshta kjo është arsyeja që ajo nuk nguroi që ta konsideronte si një sfidë planetare, madje theksoi se duhet të jesh SpaceX i Elon Musk që ta bësh vetëm këtë proces. Me pak fjalë, Topalli pohoi se është lënë e vetme në një proces që konsiderohet jetik me deklarata, por në terren nuk i jepet rëndësi.

 “Është fakt që PD ka nisur më vonë sesa PS përgatitjet, sepse ne para 1 muaji kemi qenë parti e arrestuar. Në këto kushte po bëhet maksimumi, por ndihem mirë që kryetari ka mbledhur deputetët, grupin parlamentar, kryesinë për t'i angazhuar sepse duhet të jesh SpaceX i Elon Musk që ta bësh vetëm, por takime shpejt do të ketë edhe nga deputetët, po përpiqemi të rikuperojmë, jemi në garë me kohën, e vetmja gjë që ata na mundin është paraja e luksi, këtu nuk i kapim dot”, tha Topalli.

Por Berisha duket se ka një tjetër panoramë.

Mbrëmë një deputete e jona, Elda Hoti më dërgoi regjistrimin që një demokrat i familjes së saj kishte bërë në Kanada. Sa thoni ju? 500 emigrantë. Këtij demokrati i shpreh mirënjohjen më të pakufishme, ama 500 emigrantë i kishte dorëzuar me listë. Një njeri ishte. Si i kishte regjistruar? Ai ishte përkushtuar me të gjithë ata që njihte, një zinxhir. Tani, në qoftë se ne nuk ndjekim shembullin e këtij demokrati, ne nuk i përgjigjemi detyrës që kemi. Në çdo betejë, nuk ka gjë më të pazëvendësueshme dhe të rëndësishme se shembulli personal”, tha Berisha.

Natyrisht që kreu i PD-së, me eksperiencën që ka, pak më të madhe se ajo e Topallit, mund të përdorë episode të tilla për të ndezur makinën elektorale të forcës politike që drejton. Dhe nuk është çudi që nesër të shfaqet sërish dhe të tregojë se një tjetër deputete apo deputet i PD-së e ka informuar se në SHBA një emigrant ka regjistruar i vetëm 1000 demokratë.

Madje, Jozefina mund ta mësojë këtë detaj nga televizori apo qoftë duke qenë në sallë, atje ku Berisha mund të mbajë fjalimin e rradhës. Berisha mund të luajë deri në momentin e fundit me lajme të tilla, informacione që i thuhen vetëm atij nga deputetë që e kanë të qartë se duhet të rrisin peshën e tyre për të marrë një vend në listë, por edhe për ti rritur optimizmin të vetëve apo për ti prekur sedrën.

Por në thelb ajo çka Topalli thotë dhe ngre si shqetësim për raportin e PD me Diasporën është më afër realitetit.

Nëse Berisha e ka të qartë peshën e votës së emigrantëve në 11 maj ai së paku duhej të ishte një hap para Edi Ramës.

Ata njerëz që ka nën komandë dhe sillen nëpër Tiranë duke lobuar për të pasur emrin në listë kandidatësh, në fakt duhej të ishin nëpër Europë ose SHBA në takime me ata emigrantët që vërtet mund të kenë ikur se s’kishin shpresë në Shqipëri, por as mund t’ua kthjë shpresën me ‘frymën e shenjtë’.   

Në të kundërt Berisha nuk beson ato që thotë se ‘emigrantët do thellojnë fitoren e PD’ dhe në kushte të tilla nuk harxhon energjitë e askujt, thjesht shpreson te rastësitë. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje