Negociatat po afrohen, kryesisht sepse Trump dëshiron që lufta të mbarojë. Evropa është shumë e lodhur dhe tepër e paaftë për të projektuar një drejtim tjetër. Prandaj, duke menduar për këta skenarë dëshpërues, Ukraina dhe mbështetësit e saj mund të kenë pak zgjidhje tjetër, veçse të pranojnë bisedimet me kushte të pafavorshme. Pikërisht për këtë arsye, Kievi duhet të jetë shumë i kujdesshëm mbi atë që do të dakordësohet me Trump.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2024, kandidati republikan Donald Trump tha se mund ta zgjidhte brenda 24 orëve konfliktin në Ukrainë, duke ulur në një tryezë Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn për të sheshuar mosmarrëveshjet.
Ndërkohë në një konferencë për shtyp në 7 janar të këtij viti, presidenti i zgjedhur Trump e pranoi se mund t’i duhen deri në 6 muaj. Quajeni këtë një leksion. Trump dëshiron në thelb që lufta të marrë fund. Ai ka thënë vazhdimisht, se ajo nuk do të kishte ndodhur kurrë po të kishte qenë president.
Të njëjtën gjë ka thënë edhe për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Natyrisht, këto deklarata nuk janë të provueshme dhe as të kundërshtueshme, por ato pasqyrojnë ndjenjën e tij të brendshme se luftërat janë problemi i Biden, dhe ato duhet të marrin fund me largimin nga detyra të këtij të fundit.
Sigurisht, lufta nuk do të përfundojë kaq shpejt, por komentet e Trump sugjerojnë fuqimisht se ai është indiferent ndaj kushteve në të cilat do të përfundojnë ato. Dhe kjo ka të ngjarë të jetë një lajm shumë i keq për Ukrainën, megjithëse mund të jetë një lajm i mirë për Izraelin në luftën e tij kundër strategjisë së “unazës së zjarrtë” të Iranit.
Me afrimin e Ditës së Inaugurimit, ka pak informacion të disponueshëm publikisht mbi atë që do të bëjë Trump. Dhe për shkak se ai s’ka as një filozofi koherente dhe as ndonjë qasje strategjike mbi politikën e jashtme, ajo që thotë në mëngjes, mund të mos zbatohet pasdite.
Prandaj, ata që shqetësohen për sigurinë e Ukrainës dhe Perëndimit, duhet të fokusohen mbi atë çfarë është e negociueshme me Moskën dhe çfarë jo. Vendimet e hershme mbi elementët qendrorë të diplomacisë potenciale mund të kenë pasoja të gjera, të cilat palët do përpiqen në mënyrë të pashmangshme që t’i kthejnë në dobi të tyre.
Sidomos Ukraina, duhet të marrë disa vendime të rëndësishme se si do të vazhdojë të veprojë në të ardhmen. Sepse, ndonëse një armëpushim i lidhur me fillimin e negociatave mund të jetë i pashmangshëm për shkak të presionit nga Trump, ai nuk është domosdoshmërisht në interesin e Ukrainës.
Komunikimi gjatë luftës, ishte një strategji e suksesshme e Partinë Komuniste Kineze në luftën e saj kundër nacionalistëve të Kuomintang, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo qasje mund të funksionojë sot për Ukrainën në kushte të caktuara.
Çështja më e rëndësishme është dërgimi i vazhdueshëm i ndihmës ushtarake për Kievin, e cila është e diskutueshme me Trumpin sërish në krye të SHBA-së.
Por në përgjithësi, një armëpushim mund të jetë më i rrezikshëm për Ukrainën sesa për Rusinë.
Sa më gjatë të zgjasin negociatat, aq më shumë ka gjasa që linjat e armëpushimit të bëhen të përhershme, teksa një kufi i ri midis Ukrainës dhe Rusisë mund të dojë shumë kohë që të përcaktohet.
Ndërsa do të vazhdojnë negociatat, mungesa e armiqësive do të ofrojë mundësi për Moskën që të kërkojë lehtësim të plotë ose të paktën të pjesshëm të sanksioneve ekonomike, të cilat shumë evropianë duket se janë të gatshëm t’i pranojnë.
Për më tepër, pasi të ndalen luftimet, ato do ta kenë shumë më të vështirë politikisht që të rifillojnë, gjë që ka të ngjarë të jetë në disavantazh të Ukrainës. Edhe pse është e sigurt se Rusia do të fitonte një luftë me një afat të pacaktuar, edhe asaj i duhet gjithashtu kohë për të rindërtuar ushtrinë dhe ekonominë e saj të dobësuar.
Një armëpushim e ofron këtë mundësi, dhe i blen kohë Rusisë që të shërojë plagët e saj dhe të përgatitet për sulmin e ardhshëm. Rusia priti 8 vjet pas ofensivës së saj të vitit 2014, dhe ka sërish luksin të presë derisa Perëndimi të shpërqendrohet diku tjetër.
Le të supozojmë se Trump do të këmbëngulë për një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata të njëkohshme. Në këtë rast, Ukraina duhet të jetë e kujdesshme që bisedimet të synojnë një zgjidhje të përhershme dhe jo një paqtim të përkohshëm.
Rusia do ta shohë çdo lloj marrëveshje si të përkohshme, pavarësisht se çfarë thotë publikisht. Vladimir Putin është i fiksuar pas ri-përfshirjes së Ukrainës në një perandori të re ruse, dhe çdo pjesë territori që Rusia arrin të rimarrë e afron përmbushjen e atij qëllimi.
Negocimi i “fundit” të luftës është në dobi të Kremlinit, për shkak se u jep përshtypjen e rreme perëndimorëve syleshë, se nuk ka ndonjë rrezik për agresion në të ardhmen.
Si çështja e armëpushimit ashtu edhe kohëzgjatja e çdo marrëveshjeje, ngre 2 pyetje të tjera: a duhet të ketë “paqeruajtës” përgjatë vijës së armëpushimit, dhe nëse Ukraina duhet të këmbëngulë tek “garancitë e sigurisë” nga Perëndimi (NATO apo të tjerë) kundër agresionit të ardhshëm të Rusisë?
Ruajtja e paqes është e ndërlikuar nga pikëpamja operacionale, dhe rrallëherë e suksesshme në ndonjë kuptim tjetër përveç ndihmës në zgjatjen e një ngërçi ushtarak. Ky është pothuajse rezultati uniform i paqeruajtjes së OKB-së.
Forcat paqeruajtëse (si UNIFIL në Liban ose UNDOF në lartësitë e Golanit) bëhen pjesë e peizazhit në paqe ose luftë. Këshilli i Sigurimit e humbet interesin për zgjidhjen e burimeve të konfliktit themelor. Paqeruajtësit bëhen të parëndësishëm, siç po e tregojnë zhvillimet e fundit përgjatë vijës së armëpushimit midis Izraelit dhe Sirisë.
Me pak fjalë, paqeruajtësit janë në thelb vetëm simbole boshe. Në fakt, pranimi i mungesës së efektivitetit të OKB-së, ka të ngjarë të frymëzojë thirrjet për vendosjen e paqeruajtësve të NATO-s përgjatë vijës së kontrollit Ukrainë-Rusi. Por a pret dikush që Rusia të pajtohet me këtë gjë?
A mos ajo do të sugjerojë të ketë paqeruajtës edhe nga Irani apo Koreja e Veriut, krahas atyre të NATO-s? Për më tepër, ka pasur pak diskutime se cilat do të jenë mënyrat e angazhimit të një force paqeruajtëse, qoftë të dislokuara nga OKB-ja apo NATO.
A do të ishin ato rregulla tipike për operacionet e OKB-së, ku paqeruajtësit mund të përdorin forcën vetëm për vetëmbrojtje? Apo do të ishin më të forta, duke e lejuar të përdorin forcën në ndihmë të misionit të tyre? Vërtet? Në ndihmë të misionit të tyre, paqeruajtësit e NATO-s do të lejohen të përdorin forcën kundër trupave ruse?
Po trupat ukrainase? Në rrethana të tilla, vendet potenciale që do të kontribuonin me trupa, do të ishin shumë të pakta. Mjerisht, garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën, për të cilat po këmbëngul kjo e fundit, ka të ngjarë të jepen sa për sy e faqe, pra jo seriozisht.
Rusia e ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se anëtarësimi në NATO - e vetmja garanci sigurie që ka vërtet rëndësi - është një prishje e marrëveshjeve. Po garancitë e sigurisë nga Bashkimit Evropian? Nuk mund të thuhet asgjë më siguri. Po garancitë e sigurisë nga vende të veçanta?
E tillë ishte qasja e Marrëveshjeve të Budapestit për kthimin e armëve bërthamore sovjetike në Rusi. Ato nuk funksionuan dhe aq mirë. Me pak fjalë “garancitë e sigurisë” janë fjalë të shëmtuara, por pa asnjë peshë pa pjesëmarrjen e SHBA-së dhe NATO-s, të cilën Trump duket se nuk ka gjasa që ta pranojë.
Negociatat po afrohen, kryesisht sepse Trump dëshiron që lufta të mbarojë. Evropa është shumë e lodhur dhe tepër e paaftë për të projektuar një drejtim tjetër. Prandaj, duke menduar për këta skenarë dëshpërues, Ukraina dhe mbështetësit e saj mund të kenë pak zgjidhje tjetër, veçse të pranojnë bisedimet me kushte të pafavorshme. Pikërisht për këtë arsye, Kievi duhet të jetë shumë i kujdesshëm mbi atë që do të dakordësohet me Trump.
Shënim: John R. Bolton ka qenë këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Donald J.Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Lini një Përgjigje