TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Janar 2025, 14:15

Shqipëria e Edi Ramës në duart e Olsit, Gaz Demit dhe krushkut të tij, Rrokut

Shkruar nga Pamfleti

 Shqipëria e Edi Ramës në duart e Olsit, Gaz Demit dhe krushkut

Rama: Gaz Demit i takojnë disa prona të ushtrisë, por nuk ia jap prej Olsit (Po 1 miliard euro krushkut të Gazit?)

Pas 12 vitesh në krye të qeverisë, Edi Rama, në vend të një programi për të kërkuar mandatin e katërt, bëri një monolog viktimizues, duke e vënë theksin tek ndryshimi i tij nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët kanë plaçkitur vendin për të pasuruar familjet e tyre, rrethin miqësor dhe farefisin.

Në kuadër të kësaj retorike, Edi Rama tha se i ka hyrë në hak Gaz Demit, 'kumbarit' të vëllait të tij, Olsit.

Sipas Bablokut, Gaz Demit i takojnë disa prona publike, thua se i kishte të trashëguara dhe shteti e kishte penguar për t'ia kthyer. Por, Rama shtoi se nuk kishte lejuar që Gaz Demi të merrte pronat publike që i 'takonin', për shkak të vëllait Olsi, i cili është drejtor i Klubit Partizani, me pronar Gaz Demin. Rama e paraqiti këtë si një sakrificë që ai ka paguar për shkak të Olsit.

"Im vëlla është në punën e tij, pa asnjë lidhje me punën time. Kurrë, asnjëherë, i përfshirë në ndonjë angazhim tjetër në kohën e qeverisjes sime, përveç drejtimit të klubit të futbollit “Partizani”. Madje u bënë s’di sa vjet, që ai klub kërkon të marrë nga ministria e mbrojtjes disa karakatina, ngjitur me stadiumin e ri që pronari i klubit ka ndërtuar me fondet e veta. Për vite nuk kanë arritur ta marrin edhe pse duhet ta kishin marrë me kohë sipas meje, sepse kurrë, asnjëherë, vëllai im as nuk ka kërkuar, as nuk ka marrë prej influencës sime asnjë lloj favori, ndërsa unë vetë e kam marrë vesh këtë shumë më vonë, një kërkesë tejet legjitime", tha Rama.

Por, Edi Rama nuk ndryshon nga Sali Berisha dhe Ilir Meta në plaçkitjen e pasurive dhe parave publike, duke i kaluar në duart e një rrethi klientësh. Që Gaz Demi nuk ka marrë pronat e ushtrisë që i 'takojnë' është vetëm gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër e të vërtetës është se Edi Rama i ka dhënë qindra milionë euro para publike krushkut të Gaz Demit, Rrok Gjokës, të cilin e ka paraqitur si oligark të Berishës. Rreth 300 milionë euro para publike Rrok Gjoka i ka marrë për Rrugën e Abërit, një rrugë që e ka lënë rrugëve, duke e kthyer në një gropë korrupsioni që vijon të thithë buxhetin e shtetit.

Si mos të mjaftonte Rruga e Arbërit, për të cilën Rrok Gjoka qahet para Ramës se ka dalë me humbje, Edi i ka dhënë ditët e fundit krushkut të Gazit edhe 475 milionë euro, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Kashar-Pezë-Lekaj, me gjatësi 26.6 kilometra, me kosto disa herë më të lartë sa e njëjta gjatësi dhe gjerësi rruge në vendet e BE.

Gjatë pushtetit të tij, Edi Rama i ka dhënë Rrok Gjokës edhe 200 milionë euro tendera publikë. Pra, gjatë 12 viteve në pushtet, Rama i ka dhënë krushkut të Gaz Demit rreth 1 miliardë euro para publike, plus edhe disa hidrocentrale.

Fakti që Sali Berisha merret deri se me kë fle Enkelejd Alibeaj në Dhërmi dhe nuk e përmend kurrë Rrok Gjokën si përfitues i rreth 1 miliard euro, krijon dyshime se Gjoka mund të ketë lyer edhe 'rrotën' e Familjes Berisha me paratë publike.

Këto fakte tregojnë edhe një herë se Edi Rama dhe Sali Berisha janë pjesë e të njëjtit katran që është derdhur mbi Shqipërinë. Nuk ka shumë rëndësi se kush fiton në 11 maj 2025, mjafton që paratë publike të shkojnë në duart e duhura./Pamfleti

 

shqipëria e edi ramës olsi rama gaz demi krushku rrok gjoka

Lini një Përgjigje