
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ai ka kërkuar verifikimin në kohë të pastërtisë së figurave që do të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Presidenti vlerësoi angazhimin e këtij institucioni për çështjet e përballjes me të shkuarën, ndërsa i garantoi mbështetje Autoritetit në përmbushjen e funksioneve që i ngarkon ligji.
“Duke nderuar historinë, ne i thërrasim ndërgjegjes sonë që të mësojmë nga gabimet e së shkuarës. Duhet të ndërtojmë një model të së drejtës në shoqëri, që nis nga rivlerësimi i të gjitha mohimeve të dhunshme që u janë bërë ish-të persekutuarve në Shqipëri.
Krijimi i kulturës së pendesës dhe ndjesës së vërtetë nga autorët e këtij persekutimi është, gjithashtu, një vonesë e pajustifikueshme. Hipokrizia edhe mungesa e konsekuencës në vendosjen e këtij modeli këto 34 vjet, duhet të marrin fund”, u shpreh Begaj.
Gjatë bashkëbisedimit, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe edukimit të të rinjve shqiptarë që nuk e kanë jetuar atë regjim.
“Brezi i ri duhet të mësojë për të kaluarën, që historia të mos përsëritet”, tha Presidenti Begaj.
Lini një Përgjigje