TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Maj 2025, 18:26

Berisha thyen heshtjen për kontratën 6 mln dollarë/ Manovra për të shmangur ligjin, ende mister si do të dalin milionat

Shkruar nga Pamfleti

Berisha thyen heshtjen për kontratën 6 mln dollarë/ Manovra

Kreu i opozitës shtoi se kjo kontratë lobimi ka të bëjë vetëm për vendosjen e marrëdhënieve të Partisë Demokratike me Administratën e SHBA-së, por në asnjë moment nuk mohoi ose pohoi se lobimi bëhet edhe për heqjen e non-gratës.

Sali Berisha ka thyer heshtjen, një javë pas publikimit të lajmit se Partia Demokratike kishte lidhur një kontratë lobimi në SHBA me vlerë 6 milionë dollarë.

Berisha deklaroi se kontrata e lobimit me kompaninë “Continental Strategy” e cila kap vlerën e 6 milionë dollarëve për dy vite nuk është shpenzim elektoral, pasi nuk është bërë në kuadër të fushatës elektorale. Kjo do të thotë se PD-ja i është frikësuar një hetimi dhe nuk e ka përfshirë në kontratë lobimin për fushatë elektorale, pasi ligji nuk lejon më shumë se 1 milionë lekë donacion për partitë gjatë fushatës elektorale.

Së pari kjo kontratë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Jo. Kjo kontratë ka një qëllim tjetër. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, paraqitjen e realitetit shqiptar me të gjithë problematikat e mëdha të tij para administratës së SHBA Nuk do ndodhë më që pa u numëruar kutia e fundit Rama të urohet. Bashkëpunimi i Ramës me bandat e krimit është rrezik jo vetëm për rajonin, Evropën, por edhe për SHBA Ne besojmë se çështja McGionigal është një varr i hapur dhe duhet të mbyllet. Është marrë një avokat më të shquarit e asaj toke që ka për detyrë avokatin e kauzave të PD pranë administratës së Donald Trump Nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Ka një nen, neni 21 i ligjit të partive politik. Autorizon partitë të marrin ndihma, mbështetje financiare nga forcat e tjera politike, organizata dhe fondacione. Pra kontrata është 100% e bazuar në ligj”, tha Berisha.

Kreu i opozitës shtoi se kjo kontratë lobimi ka të bëjë vetëm për vendosjen e marrëdhënieve të Partisë Demokratike me Administratën e SHBA-së, por në asnjë moment nuk mohoi ose pohoi se lobimi bëhet edhe për heqjen e non-gratës.

"E vërteta e kontratës që i ka djegur kaq shumë Edi Ramës, altoparlantëve të tij, u ka djegur kaq shumë zyrtarëve të krimit. Do doja që këto tu përsëriteshin. Përpjekja për të zënë hapësirën mediatike të programit për qytetarët. Unë kam 4 muaj që dal me program. Rama nuk ka program, del me përpjekje për të mbytur hapësirën mediatike me banalitete. Zoti Noka pranon shërbime, por nuk jemi palë kontraktuese. Me LaCivita jemi palë kontraktuese. Në rastin tjetër palë kontraktuese është fondacioni. Ne kemi pranuar shërbimin. PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë. Është një fondacion që jep para. Edhe sikur PD ti japë nga arka e vetë, për kauzën ja vlen çdo qindarkë", u shpreh ai. 

Gjithashtu Berisha theksoi se vlera 6 milionë dollarë e kontratës mund të mos paguhet e plotë dhe se ajo mund të ndërpritet në momentin që PD-ja e shikon të arsyeshme. Nga ana tjetër, kreu i opozitës deklaroi se “LaCivitta” nuk është i përfshirë në pagesën e këtij lobimi, pasi ai ishte marrë posaçërisht për fushatën elektorale.

Kontrata ka një nen, sipas të cilit palët në çdo rrethanë që ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre ndërpresin kontratën. As mund të flasësh për 6 mln as për 100 apo 200 mijë. Kontrata është sipas kërkesave të palëve. Një gjë është e sigurt që populli opozitar nuk ka më kauzë jetime, në atë vend të madh ajo kauzë ka një avokat të madh. Kjo kontratë me avokatin numër një ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar nga një narkodiktator”, tha Berisha.

Pavarësisht pyetjeve të gazetarëve, Berisha nuk e sqaroi burimin e parave për lobimin, teksa vuri theksin se paratë vijnë nga një fondacion nga diaspora.

“Referohu si të duash, derisa ka shërbim të ofruar, PD s’mund ta mohojë. Ka patriotë, atdhetarë, antikomunistë që shohin te Rama shkatërrimtarin e kombit dhe kanë krijuar fondacion për të ndihmuar PD-në. S’e kanë krijuar për të ndihmuar veten e tyre, por për PD-në”, shtoi ai.

Lini një Përgjigje