TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Maj 2025, 16:38

LaCivita e drejton fushatën nga shtëpia në SHBA? Takim virtual me kandidatët e PD: Luftoni, luftoni! Koha të largojmë Ramën

Shkruar nga Pamfleti

LaCivita e drejton fushatën nga shtëpia në SHBA? Takim virtual me

Chris LaCivita erdhi me bujë te PD, me argumentin se ai do të drejtojë fushatën e partisë më të madhe opozitare. Por përveç 2-3 takimeve, ai nuk është parë më. Sot ai ka pasur një takim virtual me kandidatët, ku këta të fundit janë mbledhur në një sallë. Mungesa e tij konfirmon zërat se ai ka ikur në SHBA dhe nuk ndodhet këtu.

Gjatë një takimi online, Chris Lacivita këshilloi kandidatët e Partisë Demokratike që të takojnë sa më shumë qytetarë dhe t`u flasin atyre për ekonominë, mirqënien, dhe kostot e jetesës. Lacivita deklaroi se sondazhet që bëjnë mediat pranë qeverisë janë “fake”, ndërsa tha se për situatën në Shqipëri tashmë flitet dhe në Uashington. Ai tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA do të forcohen edhe më shumë pas fitores së Partisë Demokratike në 11 maj

Chris Lacivita: "Me vetëm 10 ditë të mbetura, jemi në momentin më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Dr. Berisha ka punuar jashtëzakonisht shumë në çdo cep të vendit për të përcjellë mesazhin që do të na çojë drejt fitores pas 10 ditësh. Tani është koha që të gjithë kandidatët tanë, stafi, dhe vullnetarët në çdo cep të vendit të bashkohen dhe të na çojnë drejt fitores në ditën e zgjedhjeve. Secili prej jush ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë fitore, dhe duhet të ndiheni krenarë për këtë"

Strategu i fushatës së Presidentit të SHBA, Donald Trump, që po drejton edhe fushatën e Partisë Demokratike, u kërkoi kandidatëve të opozitës edhe se ku duhet të orientojnë fushatën e tyre.

 Chris Lacivita: Çështjet kryesore për të cilat kemi folur në këtë fushatë janë ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë: ekonomia, mirëqenia, dhe kostoja e jetesës. Të gjitha këto janë çështjet më të rëndësishme për qytetarët dhe do të jenë ato që do të vendosin rezultatin e zgjedhjeve.

Është shumë e rëndësishme që në këto ditët e fundit të fushatës t’i tregojmë qytetarëve se kush është përgjegjës për gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe mungesën e mundësive në Shqipëri.

Është vetëm një person: Edi Rama. Po aq e rëndësishme është të flasim me qytetarët tanë jo vetëm për atë që e ka sjellë këtë rrëmujë, por edhe për atë që është më i përgatitur për ta zgjidhur. Dhe ky është Dr. Berisha, janë kandidatët tanë për Kuvendin e Shqipërisë kudo në vend. Ka disa gjëra që unë i konsideroj shumë të rëndësishme për të siguruar që po bëjmë gjithçka që mundemi në ditën e zgjedhjeve.

Është jetike që në çdo zonë votimi, në çdo lagje, të kemi lista të njerëzve që e dimë se na mbështesin. Dhe duhet të sigurohemi që ata të dalin dhe të votojnë.

Të vijë dhe në Shqipëri për PD dhe Z.Berisha, një valë e madhe mbështetjeje për të bërë një ndryshim të jashtëzakonshëm, duke mos harruar që votojnë për herë të parë edhe diaspora dhe shqiptarët kudo në botë".

Chris Lacivita bëri paralele të situatës në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës, me atë në SHBA nën qeverisjen e Joe Biden.

Chris Lacivita: Do të filloj me ngjashmëritë mes Edi Ramës dhe Joe Biden. Që të dy janë të paqëndrueshëm.  Që të dy e kanë shkatërruar ekonominë. Dhe të dy do të humbasin në ditën e zgjedhjeve. Votuesit e pavendosur janë ata që, në këtë moment, do të vendosin fatin e zgjedhjeve.

Është thelbësore t’u flasim atyre dhe t’u shpjegojmë se si ekonomia dhe dështimi i Edi Ramës gjatë 12 viteve të fundit i ka ndikuar.

Shpjegojani atyre. Tregojani atyre. Këta votues do të jenë më të prirur të na mbështesin. Nëse Edi Rama nuk e ka siguruar votën e tyre deri tani, nuk do ta sigurojë as në 10 ditët e ardhshme.

Strategu amerikan, deklaroi gjithashtu se situata në Shqipëri ka ndërgjegjësuar edhe Uanshingtonin, ndërsa shtoi se pas fitores në 11 maj marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA do të forcohen edhe më shumë pas fitores së zgjedhjeve nga Partia Demokratike, ndërsa kishte dhe një koment edhe për sondazhet që janë duke kryer mediat pranë qeverisë.

Chris Lacivita: Po, ka. Ka një ndërgjegjësim edhe në Shtetet e Bashkuara për zgjedhjet që po vijnë në Shqipëri. Por lajmi i vërtetë, gjithsesi, do të bëhet kur të fitojmë dhe të mposhtim Edi Ramën. Kjo është një pyetje e mirë. Besoj se disa prej këtyre gjërave tashmë i keni parë të ndodhin në të gjithë vendin përmes mesazhit tonë. Ju nuk mund t’u besoni sondazheve të mediave shtetërore. Ne ato në Amerikë i quajmë “lajme të rreme”. Ato kanë një qëllim të caktuar. Qëllimi i tyre është të krijojnë perceptimin se Edi Rama do të fitojë, por ai nuk do të fitojë. Është shumë e rëndësishme që të mos i marrim parasysh gjëra të tilla.

Teksa u kërkoi kandidatëve të shkojnë derë më derë dhe të takojnë çdo qytetar, Chris Lacivita përcolli para tyre edhe një mesazh frymëzues nga fushata e Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Chris LaCivita: Mos ndaloni së punuari deri sa të mbyllen kutitë e votimit. Ju duhet të përfitoni nga çdo minutë të vlefshme që ju ka mbetur. Dhe ajo që ju sfidoj ju të gjithëve këtu të bëni në këto dy javët e fundit, deri në Ditën e Zgjedhjeve, është të caktoni një numër personash në zonën tuaj të votimit që doni t’i sillni më shumë, përveç atyre që tashmë i keni të sigurt.

Mos harroni, kjo është thjesht matematikë, dhe ka të bëjë me të nxjerrurit e më shumë njerëzve për të votuar. Kur Presidenti Trump u qëllua në korrik, ai e bëri të qartë se çfarë donte nga amerikanët: të luftonin, të luftonin, të luftonin. Dhe sinqerisht, kjo është pikërisht ajo që shqiptarët duhet të bëjnë. Ju duhet të luftoni, duhet të tregoheni të merrni pjesë në zgjedhje, dhe nëse e bëni këtë, do të fitoni.

Lini një Përgjigje