Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se çdo përpjekje për të ndikuar në vota përmes kërcënimeve apo ndërhyrjes kriminale do të dënohet ashpër.
Gjatë një takimi elektoral në Vlorë, Berisha tha se ata që guxojnë të blejnë vota, do të shpallen terroristë ndërkombëtarë, ndërsa shtoi se do të përballen me pasoja të mëdha.
“Ju jap fjalën e nderit, ata që implikohen në vota do shpallen terroristë ndërkombëtarë dhe do përballen me pasoja të paimagjinueshme”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se programi i “Shqipërisë Madhështore” synon përfshirjen e çdo qytetari në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin.
“Grupet kriminale do të vihen para ligjit. Banditët, nëse implikohen në vota, do cilësohet grup terrorist. Ju them bandave që mos të guxojnë të frikësojnë qytetarët, se ju jap fjalën e nderit, do shpalleni terroristë ndërkombëtarë, do keni ndëshkime që nuk i imagjinoni. Programi i Shqipërisë Madhështore fton çdo opozitar të bëhet misionar në paraqitjen e programit tek çdo shqiptar, socialist, tek çdokush që do të jetojë në Shqipëri dhe të presporojë në vendin tonë”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje