TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Prill 2025, 19:11

A i dështuan lobimet Bablokut për takime me njerëzit e Trump?

Shkruar nga Pamfleti

A i dështuan lobimet Bablokut për takime me njerëzit e Trump?

Nga surpriza që premtoi, te deklarata që nuk ka ftesë nga SHBA...

Kryeministrit Edi Rama duket se nuk i kanë ecur edhe aq mirë planet lidhur me raportet me SHBA. Edhe pse përdori kartën e Jared Kushner (investimi në Sazan), deri më sot nuk ka marrë asnjë sinjal mbështetjeje nga përtej Atlantikut dhe zhgënjimi u pa sot në sytë e kryeministrit.

Rama pati sot komunikimin e përjavshëm me komentuesit, të cilët i përmendën faktin se nuk ka udhëtuar në SHBA dhe Rama indirekt nënkuptoi se nuk ka pasur asnjë ftesë nga Uashingtoni për ndonjë vizitë.

Ca problemi ke ti, ca halli ke ti. Vizita në USA, kur të ftojë USA, nëse bëhet fjalë për të takuar presidentin apo të tjerët. Kur të më ftojë USA do bëhet vizita, nuk jam duke u shqetësuar, nuk shoh asnjë urgjencë, asnjë problem, asnjë hall. Ti ku e ke hallin, pse qenka një lajm bombë një vizitë në USA, ca janë këto bomba. Nuk e morët vesh akoma si funksionon kjo botë, si funksionojnë shtetet. Nuk e keni kuptuar akoma që jemi një vend mjaftueshmërisht i vogël për t'u kujdesur për veten, për të bërë sa më shumë punë, për të pasur sa më shumë rrugë të hapura”, ju përgjigj Rama një komentuesi.

Por deklarata e tij sot, bie ndesh me atë që premtoi 1 muaj më parë. Babloku u mburr se po përgatiste një surprizë sa i takon raporteve me SHBA dhe në korridoret e politikës po flitej për një vizitë në Uashington.

A do e kalosh oqeanin? Unë nuk kam pasur asnjëherë probleme. Dhe të jesh i sigurt që e kaloj sa herë të dua dhe mos u çudit fare kur ta shikosh që jo do e kaloj.. por do ia lë kohës se dua të bëj një surprizë të këndshme ty dhe kënetës”, shprehej Rama në mars.

Por duket se Bablokut i kanë dështuar lobimet. Nën rrogoz është lobuar fort që kryeministri të merrte një ftesë për të shkuar të paktën në Departamentin e Shtetit, por asgjë nuk ka dhënë efekt. Reagimi i sotëm i Ramës ishte një reagim i dëshpëruar, çka tregon se nuk i dihet si do të jenë raportet me amerikanët.

Pikat do të vihen mbi “i” sapo të vijë ambasadori i ri. Ai do ta ndajë “shapin nga sheqeri”, pasi si Rama ashtu dhe Berisha janë të ngazëllyer se mund të bëjnë gjithçka me drejtësinë, zgjedhjet dhe shqiptarët. /Pamfleti

Lini një Përgjigje