TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Qershor 2024, 22:26

Basha “as mish, as peshk” pas 5 orësh takime: Nuk e di ende si do të veprojmë, do të vijoj konsultat!

Shkruar nga Pamfleti
Basha “as mish, as peshk” pas 5 orësh takime: Nuk e di ende si
Basha pas takimit me krerët e degëve

Basha tha se do të vijojë bisedat me demokratët në ditët në vijim dhe më pas do të deklarojë se çfarë do të bëjë.

Lulzim Basha nuk ka ende një qëndrim se si do të veprojë pas vendimit të Apelit, i cili ja kaloi vulën Sali Berishës. 5 orë takime me strukturat nuk i mjaftuan deputetit Basha për të deklaruar nëse do të dalë me parti të re, do të vijojë betejën gjyqësore, apo do të shkojë t’i ulet në gjunjë Sali Berishës.

Basha sot në orën 17.00 nisi një sërë takimesh me Kryesinë, deputetët dhe krerët e grupeve, por pak më parë deklaroi se nuk ka ende një vendim final. Ai tha se do të vijojë bisedat me demokratët në ditët në vijim dhe më pas do të deklarojë se çfarë do të bëjë.

"Ne duam një Shqipëri europiane. Ne na lidh bindja me shqiptarët se ata meritojnë fundin e ciklit të dhimbshëm të tranzicionit. Me këtë vetëdije do ta vazhdojmë bashkëbisedimin me shqiptarët dhe demokratët. Ajo që kemi vendosur është që mos lëmë askënd pa marrë me vete në këtë vendimmarrje. Kjo betejë nuk ka qenë kurrë për vulë e për karrige. Ne do të gjejmë rrugën më të mirë. Duket qartë se është përvijuar koalicion antivlerash në horizont dhe ka alibi për të mbajtur Ramën në pushtet. Kjo qeveri ka zvogëluar hapësirat për debat publik. PD dhe demokratët do të largojnë këtë qeveri, nëse vendimet i shërbejnë kësaj, do të ecim përpara. Nuk mund të mbajmë në këmbë pazare të vjetra. Ne luftojmë për interesat e njerëzve dhe jo personale. Nëse do të dish sesi ndihem, unë ndihem demokrat dhe ne kemi përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që këtë betejë e bëjnë për idealet demokratike. Rama kundërshtar serioz të tij ka pasur vetëm Bashën", tha ai.

Basha tha se demokrat nuk të bën vula, por vlerat dhe parimet. Ai shtoi se parimet e tyre janë ato të një Shqipëria demokratike. "Ne na lidhin shumë gjëra, por ajo që na lidh është se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë. Për këtë si demokrat dhe si shqiptar marrim përgjegjësitë tona. Me këtë vetëdije do ta vazhdojmë këtë bashkëbisedimin me shqiptarët dhe më pas do ta vendosim. Kjo betejë kurrë nuk ka qenë për karrige", tha ai.

Basha duket se nuk ka shumë zgjedhje në tavolinë. E para është ajo e ankimimit në Gjykatën e Lartë të vendimit të Apelit. E dyta është ajo e pranimit të vendimit dhe krijimin e një partie të re politike. E treta të tentojë të bashkohet me Berishën dhe e katra të shijojë mandatin e deputetit deri në fund të legjislaturës dhe të largohet.

 

Lini një Përgjigje