TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Qershor 2024, 19:28

Nga partia e re te bashkimi me Berishën, 4 rrugët që i kanë mbetur Lulzim Bashës!

Shkruar nga Pamfleti

Nga partia e re te bashkimi me Berishën, 4 rrugët që i kanë

Pyetja që shtrohet tani është: Çfarë do të bëjë Lulzim Basha?

Lulzim Basha duket se u kthye atje ku e nisi, i mbetur mes “4 rrugëve”. Rikthimi në krye të PD solli një çarje të madhe të partisë, pasi Bashës i dolën kundër dhe emrat më besnikë, si Bardhi apo Salianji. Vula u kthye në një strumbullar konflikti dhe vetëm sot drejtësia i dha fund këtij kaosi. Apeli shpalli Berishën kryetar dhe duket se Basha humbi sërish, ndonëse ai shpesh herë deklaron se nuk ka humbur asnjë betejë.

Pyetja që shtrohet tani është: Çfarë do të bëjë Lulzim Basha? Deputeti demokrat ka mbledhur sot strukturat që ka pas vetes, si Kryesinë, deputetët apo krerët e degëve dhe në fund do të dilet me një konkluzion. Mirëpo duket se nuk ka shumë alternativa në tryezë. Janë 4 rrugë që mund të ndjekë Lulzim Basha.

E para dhe që mësohet se po diskutohet aktualisht në mbledhjet që po vijojnë, është ajo e daljes me një parti më vete. Basha foli pak para gazetarëve dhe dukej se e priste një vendim të tillë, pasi dukej mjaft i qetë. Dukej sikur ju hoq një barrë e madhe, pasi e di se shumë demokratë nuk i ka pas vetes. Tani mund të shihet mundësia që bashkë me ata 10 deputetë që ka pas, të dalin me një forcë më vete dhe të sigurojnë disa mandate deputeti në zgjedhjet që vijnë.

Rruga e dytë është ajo e bashkimit me Berishën, rrugë kjo disi e vështirë, pasi nuk varet vetëm nga Basha. Ervin Salianji dhe Flamur Noka shtrinë dorën e bashkëpunimit, por Berisha e ka thënë disa herë se nuk ka aleancë me Bashën. Po ashtu, do jetë e vështirë të “lëpihet aty ku është pështyrë”, ndonëse politika jonë nuk e ka problem.

Rruga e tretë është ajo e betejës gjyqësore. Basha ka 5 ditë kohë ta ankimojë në Gjykatën e Lartë vendimin, duke rikthyer edhe një herë betejën gjyqësore. Por duhet ta dijë se procesi aty do të zgjasë dhe derisa të merret vendimi, vula i takon Berishës sepse Apeli ka formë të prerë.

Rruga e fundit është ajo e tërheqjes nga politika. Pra, Basha dhe ata që i shkojnë pas mund të mbyllin mandatin që kanë dhe t’i thonë lamtumirë Kuvendit. Mbetet të shihet nëse pas takimeve sot, do të ketë një vendim final. /Pamfleti

Lini një Përgjigje