
Pas mbledhjes së strukturave të grupit të tij në orën 17:00, Lulzim Basha ka njoftuar se do të mbledhë në orën 20:00 krerët e degëve të forcës politike që drejton.
Mësohet se takimi do të zhvillohet tek hotel Rogner në orën 20:00.
Pas humbjes së vulës së Partisë Demokratike, që sot Apeli vendosi t'ia kalojë Berishës, Basha mblodhi menjëherë strukturat e Partisë Demokratike.
Në përfundim të takimit, ai tha se do të zhvillohet edhe mbledhje e Kolegjit të Kryetarëven ndërsa nuk bëri asgjë të ditur lidhur me ndonjë vendimmarrje.
“Kemi ecur me mbledhjen e kryesisë, por nuk e kemi përfunduar. Do t'i bashkohemi kolegjit të kryetarëve. Gjithçka që iu thashë kur hyra vazhdon të qëndrojë. Do vazhdojmë takimet me kolegjin e kryetarëve dhe kryesinë”, tha Basha.
Para nisjes së mbledhjes Basha u shpreh për gazetaret se beteja nuk bëhet për logo apo për karrige, por për idealet e demokratëve. Ai u shpreh se nuk ka asnjë koment për vendimin e gjykatës, teksa shtoi se do të diskutohet për hapat e mëtejshëm, nëse do të çojnë apo jo në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa i pyetur për mundësinë e krijimi të një force të re politike, Basha nuk dha një përgjigje direkte.
Në takimin me krerët e degëve të PD-së pritet që Basha t’iu komunikojë lëvizjen e radhës.
Lini një Përgjigje