TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Qershor 2024, 17:48

Asambleja e PS/ Rama fut në ankth deputetët, paralajmëron furtunë në listat e zgjedhjeve të 2025

Shkruar nga Pamfleti
Asambleja e PS/ Rama fut në ankth deputetët, paralajmëron
Grupi parlamentar i PS

Rama u dha sinjale deputetëve që të shfrytëzojnë kohën që u ka mbetur për të siguruar një vend në listën e kandidatëve...

Kryeministri Edi Rama ka futur në ankth deputetët. Në Asamblenë e PS të mbajtur online, Rama deklaroi se do të ndryshohet skema e përcaktimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025. Kjo do të thotë se shumë nga deputetët aktualë mund të largohen.

Kryeministri njoftoi se skema e re do të prezantohet në Kongresin e 20 korrikut, teksa tha se do të jetë më e gjerë se ajo e 4 viteve më parë, ku u hap platforma “Deputeti që duam”. Rama u dha sinjale deputetëve që të shfrytëzojnë kohën që u ka mbetur për të siguruar një vend në listën e kandidatëve.

Në Kongres do të paraqesim edhe platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve të PS, duke u nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara ku siç ju kuptohet ne krijuam për herë të parë një platformë të quajtur Deputeti që Duam dhe mblodhëm një numër jo të vogël për hir të së vërtetës, shprehje interesi për tu bërë pjesë e përzgjedhjes së deputetëve të PS. Disa nga ata të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë edhe pjesë e listave. Por në zgjedhjet e ardhshme platforma do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces më të artikuluar dhe është mirë t'i japim vetes kohën e nevojshme nga Kongresi deri në momentin kur do të bëhet përzgjedhja finale e listës së kandidatëve për deputetë”, tha ai.

Nëse kthehemi 4 vite më parë, Rama bëri një spastrim të thellë në radhët e deputetëve. Në listat e zgjedhjeve 2021, kryeministri la jashtë 25 deputetë. Disa emra u dorëhoqën dhe disa të tjerë thjesht u përjashtuan.

Eglantina Gjermeni dhe Vasilika Hysi ishin ndër të parat që njoftuan largimin nga PS. Po ashtu, pasi u zgjodh deputet, u largua Gramoz Ruçi. Një tjetër emër i larguar ishte Musa Ulqini, i cili u tërhoq pasi në zonën e Elbasanit ishte vendosur në një zonë jo të sigurt. Po ashtu tjetër emër ishte Ditmir Bushati. Shkodra ishte qarku ku pati vërtet furtunë sepse ikë edhe Senida Mesi me Luan Harushën. Një tjetër emër që u la jashtë ishte Almira Xhembulla. Po ashtu emra të tjerë që ikën ishin: Adnor Shameti, Adelina Rista, Xhevit Bushaj, Anduel Xhindi, Anastas Angjeli, Arben Kamami, Besnik Baraj, Vilma Bello, Andrea Marto, Edmond Leka dhe Fatmir Velaj. Duhet theksuar se Rama la jashtë vijës së kuqe Mimi Kodhelin, Pandeli Majkon dhe Fatmir Xhafën. Të shohim çfarë surprizash do të ketë vitin që vjen. /Pamfleti

Lini një Përgjigje