Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka sulmuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor Iranin për të sulmuar protestuesit që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi deklaron se ishte vetë Rama ai që përfshiu Iranin në debat, pasi sipas tij ngriti pretendime për ndikim iranian në protestat qytetare.
Sipas deputetit demokrat, kryeministri po përpiqet të shmangë përgjegjësinë përballë revoltës qytetare duke shpikur armiq dhe komplote të reja.
“Iranin në këtë debat e fute ti. Ti akuzove protestuesit. Ti shpike komplotin me iranianë. Ti e kërkove këtë reagim”, shkruan Bardhi.
Ai shkon edhe më tej në akuzat e tij, duke pretenduar se Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ruajtur pushtetin.
“Për karrigen tënde nuk njeh as kufij dhe as pasoja. Po provon se për pushtetin nuk e ke problem madje as të flirtosh me Iranin”, shprehet Bardhi.
Demokrati akuzon gjithashtu kryeministrin se e konsideron armik çdo person që nuk pajtohet me të, duke renditur protestuesit, opozitën, fqinjët, europianët dhe influencerët si grupet që, sipas tij, janë vënë në shënjestër nga Rama.
Në fund të reagimit, Bardhi sulmon ashpër kreun e qeverisë, duke deklaruar se Shqipëria ka vetëm një problem dhe se ai quhet Edi Rama.
“Sot Shqipëria ka vetëm një armik. Quhet Edi Rama. Dhe ka ardhur koha të largohet”, përfundon Bardhi.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Oh, really? Vërtet i di shqiptarët kaq budallenj? Nuk ka asgjë të papritur këtu. Iranin në këtë debat e fute ti.
Ti akuzove protestuesit.
Ti shpike komplotin me iranianë.
Ti e kërkove këtë reagim.
Tani, nuk besoj se ka mbetur njeri me dyshime se për karrigen tënde nuk njeh as kufij dhe as pasoja. Ti po provon se për karrigen tënde nuk e ke problem madje as të flirtosh me Iranin.
E vërteta është se nuk ndryshon nga ajatollahët në raportin që ke me pushtetin. Kush nuk të bindet, shpallet armik.
Protestuesit armiq.
Opozitarët armiq.
Fqinjët armiq.
Europianët armiq.
Influencerët armiq.
Sot Shqipëria ka vetëm një armik. Quhet Edi Rama. Dhe ka ardhur koha të largohet.
Lini një Përgjigje