Alesia Balliu ka akuzuar kreun e PD, Sali Berisha se po pengon zhvillimin e një gare të ndershme brendapartisë, duke e lidhur këtë me frikën nga konkurrenca dhe mendimi ndryshe.
Gjithashtu, Balliu mbështeti padinë e ngritur nga Mereme Sela për përjashtimin nga gara, duke e cilësuar atë si një hap të drejtë dhe të nevojshëm për të garantuar respektimin e statutit të partisë.
“Nëse gjykatat nuk janë të komanduara nga Rama, duhet të japin një vendim të drejtë që është pro demokratëve dhe anëtarëve që kanë votuar për statutin e PD-së në kuvendin e 2021. Kërkesa e Mereme Selës është shumë e drejtë. Duhej çuar çështja në gjykatë. E respektoj vendimin e saj. Nuk po kërkojmë favore, po kërkonim garën dhe jo ofiqin, po kërkonim meritokracinë dhe tu jepnim demokratëve një alternativë që PD të jetë e fortë, pro ndërkmbëtarëve dhe pro drejtësisë”, u shpreh ajo për "Report Tv".
Ajo vijoi me kritika ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike, duke vënë në dyshim aftësinë e Berishës për të rikthyer partinë në pushtet.
“Sali Berisha nuk ka asnjë shpresë për të sjellë PD në pushtet. Shikoni si po e drejton sot PD-në, ashtu nuk duan shqiptarët një të ardhme të tillë. Duke shpifur për anëtarë të PD-së që kanë bërë kauza, sepse ke frikë nga gara dhe mendimi ndryshe, Sali Berisha është frikacak”, vijoi Alesia Balliu.
Sipas saj, Partia Demokratike ka nevojë për një riformatim të thellë dhe një drejtim të ri politik.
“PD ka nevojë për një vizion të ri, për riformatim dhe mos të përdoret si mburojë për shkak të problemeve të tij me drejtësinë. Ka nevojë që kjo parti të mos përdoret për interesat personale të tij dhe familjes së tij, ka nevojë t’i përkasë demokratëve", tha demokratja.
Balliu ngriti akuza të forta ndaj ish-kryeministrit, duke e lidhur drejtimin e tij me pasojat politike në vend.
“Sot Sali Berisha është tradhëtar i kombit shqiptar. Ai s’ka tradhëtuar vetëm demokratët por edhe interesat kombëtare. Ai vë para çdo gjëje interesin e tij personal. Dëmi që sot Berisha po bën nuk ua bën vetëm demokratëve, por të gjithë shqiptarëve. Duke mbajtur me dhunë PD-në, duke e trajtuar si pronë private, po shuan shpresën e të gjithë shqiptarëve dhe po i jep garancinë Edi Ramës që të fitojë zgjedhjet e radhës”, përfundoi ajo.
Lini një Përgjigje