Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla po mban ditën e sotme një takim me drejtues të ministrisë e strukturave të varësisë për të komunikuar prioritetet e detyrës së tij.
Balla në takimin me drejtuesit e ministrisë ka komunikuar prioritetet e detyrës së tij dhe u ka dhënë disa porosi drejtuesve të policisë.
"Asnjë deputet nuk duhet të ndërhyjë në punën tuaj. Kushdo deputet që ndërhyn tek ju nuk do të mund të ketë asnjë tolerim. Ju keni detyrën t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej çdo deputeti, por për çdo rast që ndërhyn në kryerjen e detyrës suaj deputetin ta drejtoni tek unë. Ndërhyrja është e paparanueshme.", tha Balla.
Taulant Balla u betua dy ditë më parë para presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, ku mori zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm, pas shkarkimit të Bledi Çuçit.
Kuvendi miratoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim.
Karrierën politike, Taulant Balla e nisi ne vitin 2004, ku shërbeu si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.
Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri. Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier.
Lini një Përgjigje