Ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për herë të parë pas shkarkimit nga detyra.
Çuçi u shpreh se funksionet publike janë të përkohshme dhe se ajo çfarë mbetet është puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve.
Ai shtoi se ka besimin se pasardhësi i tij Taulant Balla së bashku me ekipin e vetë do çojë përpara punët në këtë institucion.
“Funksionet publike janë të përkohshme. Çfarë mbetet e ka vlerë të pashlyeshme është puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve që gjithmonë presin e meritojnë më shumë nga ne. I dorëzova sot Taulantit një #ExitMemo me prioritetet e 2023 të Ministrisë së Brendshme, me bindjen se bashkë me ekipin e tij ai do të çojë përpara punët në këtë institucion kaq shumë të rëndësishëm”, thotë Bledi Çuçi.
Taulant Balla është betuar dje para Presidentit të Republikës si Ministër i Brendshëm. Emërimi i tij në krye të këtij diskateri erdhi pas shkarkimit te Bledi Çuçit.
Shkarkim që pati si shkak ngjarjen në Fushë Krujë, ku fisi Rraja ushtroi dhunë mbi dy kushërinjtë Maja. Taulant Balla është një figurë e rëndësishme në Partinë Socialiste, i cili ka hyrë në politikë në 2005 si deputet i PS, ndërsa nuk ka mbajtur asnjë post ministror më herët, përveçse zëvendësoi në detyrë si Sekretar të Përgjithshëm, Gramoz Ruçin.
Lini një Përgjigje