TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shtator 2025, 08:30

Asambleja në New York, Presidenti Begaj: Kosova meriton vendin e saj në OKB

Shkruar nga Pamfleti

Asambleja në New York, Presidenti Begaj: Kosova meriton vendin e saj

 Begaj kritikoi faktin që Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur këtë një padrejtësi që duhet korrigjuar. 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti dje fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një moment të veçantë për Shqipërinë që shënon 70-vjetorin e anëtarësimit në OKB.

Kreu i Shtetit theksoi se ky përvjetor i Kombeve të Bashkuara është një kujtesë e vizionit për dialog e bashkëpunim mes kombeve dhe një mundësi për t’u angazhuar më fort në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe solidaritetit global.

“Ne duhet të zgjedhim bashkëpunimin mbi kundërshtitë, dialogun mbi ndarjen dhe solidaritetin mbi indiferencën”, u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar rolin e OKB-së si platformën globale për të adresuar përgjigjet ndaj sfidave të përbashkëta.

Në fjalën e tij, ai ndaloi tek krizat aktuale botërore, duke ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus.

Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë që lufta në Gaza duhet të përfundojë, të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe situata humanitare duhet të trajtohet me urgjencë.

"Shqipëria është po aq e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet edhe në Lindjen e Mesme. Lufta në Gaza duhet të përfundojë, të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe situata e rëndë humantiare në Gaza duhet të trajtohet me urgjencë", u shpreh Begaj.

Në planin rajonal, ai theksoi rolin e Shqipërisë si promotor i dialogut, fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal, duke theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një zonë paqeje dhe zhvillimi.

Presidenti u shpreh gjithashtu se Kosova meriton vendin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ai kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Sipas Begajt, mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, është një hap drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. 

“17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka treguar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe vlerave demokratike. Me institucione të forta dhe popullsi vitale, kontributi i saj në bashkëpunimin rajonal dhe me gjere është i pamohueshëm. Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë se Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon edhe më shumë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Europës”, tha Begaj.

Begaj rikujtoi arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, energjinë e pastër, transformimin digjital avancimin e barazisë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në agjendat zhvillimore të vendit.

“Shqipëria ka treguar se dialogu, partneriteti dhe vlerat e përbashkëta mund të transformojnë shoqëritë. Ne do të vazhdojmë të punojmë që fëmijët tanë të jetojnë në një botë më të sigurt, me dinjitet dhe në paqe”, përfundoi Presidenti Begaj, duke ftuar për unitet, përgjegjësi dhe guxim në përballimin e sfidave globale.

Lini një Përgjigje