
Deputeti demokrat Lefter Gështenja u shpreh se lidhur me arrestimin e Jamabër Malltezit, kur flet drejtësia, politika duhet të heshtë.
"Kur flet drejtësia, politika duhet të heshtë. Le t’ia lëmë kohës dhe të gjykojmë në një moment të dytë për këtë çështje. Nuk besoj se do ta zbehë aksionin e opozitës, pasi nuk lidhet me një person. Ka lindur një aksion dhe janë disa mbledhje të opozitës së bashkuar për të pasur një opozitë funksionale në kuvend dhe të fortë.
Këtë grup nuk e ka drejtuar Berisha, pasi takimet janë thirrur nga Gazment Bardhi që është kreu i grupit parlamentar, pasi ai është përfaqësuesi ynë në këto tryeza. Mbledhjet e thirrura janë bërë nga Bardhi. Ai i ka njoftuar të gjithë deputetët për të qenë pjesë e këtyre diskutimeve.", tha ai për Ora News.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masë sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Për Berishën është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit”.
Po ashtu, me kërkesë të SPAK për të njëjtën çështje, është arrestuar mbrëmjen e të shtunës edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi si dhe është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Fatmir Bekteshi.
SPAK ka nisur hetimet mbi këtë çështje pas një kallëzimi të bërë nga Taulant Balla në vitin 2020, asokohe kryetar i grupit parlamentar socialist. Në kallëzim, Balla akuzon Berishën, Malltezin, ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, dhe disa ministra të tjerë të qeverisë Berisha të viteve 2005-2013.
Lini një Përgjigje