
Kuvendi ka dalë me njoftim zyrtar sa i takon vendimit të Këshillit të Mandateve për të aprovuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. PS dhe PD ranë dakord sot, ndërkohë që është vendosur mbajtja e një seance të posaçme të hënën pasdite.
“Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, u mblodh sot Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Këshilli vazhdoi mbledhjen me të njëjtin rend dite si në mbledhjen e kaluar, me zhvillimin e dëgjesës me përfaqësuesit ligjor të deputetit, z. Arben Ahmetaj.
Pas përgjigjeve të pyetjeve Këshilli vazhdoi diskutimet dhe vendosi që raportet të paraqiten brenda ditës së premte, datë 14.07.2023 ora 12:00 dhe Seanca e Posaçme plenare do të zhvillohet ditën e hënë, më datë 17.07.2023.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Arben Ahmetaj”, njofton Kuvendi.
Lini një Përgjigje