Kuvendi pritet të votojë ditën e hënë për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Sot po mbahet dita e dytë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku prej 1 orë e 30 minutash po diskutohet mbi procedurat që do të ndiqen.
Mazhoranca ka propozuar që sot të dëgjohen avokatët dhe ditën e premte të mbahet një tjetër mbledhje, ku do të bëhet votimi i raportit. Sipas procedurës, Këshilli i Mandateve duhet të dalë me një raport nëse e pranon apo jo kërkesën për arrestim dhe raporti i shkon seancës për votim.
PS propozon që të premten në orën 12.00 të mbahet një mbledhje dhe të miratohet raporti. Sipas informacioneve PS pritet që të pranojë kërkesën e SPAK dhe të heqë imunitetin e deputetit.
Ndërkohë është propozuar që të hënën në orën 17.00 të mbahet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare opozita kërkon që raporti të miratohet sot dhe të kalojë për votim nesër ne seancë. Duke qenë se PS ka shumicën, me shumë mundësi pritet të vuloset versioni i parë. Pra ditën e hënë do hapet rruga për arrestimin e Ahmetajt.
Ndërkohë vetë ish-zv.kryeministri nuk ndodhet në vend, sipas avokatëve. Dje ata thanë se ka dalë jashtë vendit, ndërsa sot u pyetën nga deputetët se ku ndodhet ish-ministri. Avokatët nuk dhanë detaje, por thanë se ai ka ikur për arsye familjare dhe nuk është arratisur. Nëse deri të hënën Ahmetaj qëndron jashtë, atëherë do të thotë se SPAK duhet të kërkojë në gjykatë masë sigurie në mungesë dhe të kërkojë shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Ndërkohë ka pasur dhe debate mes Gazmet Bardhit dhe avokatëve të Ahmetajt. Ai u është drejtuar atyre me një sërë pyetjesh sa i takon hetimeve të SPAK dhe qëndrimeve të ish-ministrit.
“Klienti juaj ka ikur jashtë vendit ditën që është kërkuar arrestimi. Kritikuat prokurorinë pse e ka shtrirë hetimin duke nisur që në vitin 2004. Ky lloj hetimi i pasurisë së zyrtarëve duhet të bëhet për të gjithë politikanëve. Akuzat nuk kanë natyrë politike, por për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Pse jeni ju kundër kontrollit të pasurisë dhe shtrirjes se hetimit që nga 2004?
Keni ju prova për ligjshmërinë e kësaj pasurie? Pse ka gënjyer Ahmetaj për raportin me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton? A rezulton që në udhëtime njëlloj si Ahmetaj me këta dy persona, ka qene edhe Damian Gjiknuri? A e konfirmoni ju këtë?”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje