TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Korrik 2023, 18:34

Kuvendi i hap rrugë arrestimit të Arben Ahmetajt, PD-PS pranojnë kërkesën e SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Kuvendi i hap rrugë arrestimit të Arben Ahmetajt, PD-PS pranojnë
Këshilli i Mandateve i hap rrugë arrestimit të Arben Ahmetajt

Opozita dhe mazhoranca dolën me dy raporte të ndryshme, por që në parim të dyja aprovojnë kërkesën e SPAK për arrestimin e Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij...

Kuvendi i ka hapur rrugë SPAK-ut të arrestojë Arben Ahmetajn dhe t'i kontrollojë banesën. Pas disa orësh debatesh, në Këshillin e Mandateve PD dhe PS kanë rënë dakord që t’i hiqet imuniteti ish-zv/kryeminsitrit.

Prej dy ditësh ka patur debate e diskutime në Këshillin e Mandateve, pasi SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-ministrit, duke ngritur 3 akuza ndaj tij. Dje ishin prokurorët ata që parashtruan kërkesën e tyre, ndërsa sot ishin avokatët. Në fund të mbledhjes u ra dakord që të mos ketë pengesa.

Opozita dhe mazhoranca dolën me dy raporte të ndryshme, por që në parim të dyja aprovojnë kërkesën e SPAK. I vetmi dallim është se PD kërkoi që votimi të bëhet nesër në seancë, ndërsa mazhoranca ka vendosur që të hënën të ketë një seancë të jashtëzakonshme, ku dhe do të votohet raporti.

"Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, u mblodh sot Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Këshilli vazhdoi mbledhjen me të njëjtin rend dite si në mbledhjen e kaluar, me zhvillimin e dëgjesës me përfaqësuesit ligjor të deputetit, z. Arben Ahmetaj. Pas përgjigjeve të pyetjeve Këshilli vazhdoi diskutimet dhe vendosi që raportet të paraqiten brenda ditës së premte, datë 14.07.2023 ora 12:00 dhe Seanca e Posaçme plenare do të zhvillohet ditën e hënë, më datë 17.07.2023. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Arben Ahmetaj", njoftoi Kuvendi.

Ndërsa në raportin e opozitës thuhet: “5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 277/1, të vitit 2022 për 3 veprat penale”.

Mbetet të shihet nëse në seancë do të kemi dy raporte apo palët do të punojnë për t’i bashkuar në një. Por e sigurt është se mazhoranca e lëshoi Arben Ahmetajn duke iu hapur rrugë prokurorisë që ta arrestojë. Duhet theksuar se Ahmetaj ndodhet jashtë vendit. Sot folën edhe avokatët të cilët lëshuan akuza të forta ndaj prokurorisë.

Zoti Ahmetaj ka nisur përballjen me drejtësinë. Është e drejta e vetë nëse do vijë në Shqipëri apo jo. Ne mbajtëm qëndrim të kundërt nga ajo që kërkon prokuroria. Na u dha kohë jo më shumë se 24 orë për të parë 320 faqe material, që janë dashur 2 javë për t’i shkruar. Ne nuk vërejtëm kurrkund në këto faqe asnjë rresht që justifikon kontrollin e banesës së zotit Ahmetaj. Kjo është thjesht një shoë për të kënaqur epshet e disa njerëzve se si dhunohet e drejta e një deputeti. Për masën e sigurisë nuk kishte asnjë arsye pse kërkohet kjo masë ekstreme. Jemi kundër arrestimit të tij”, u shpreh avokati Ardian Visha.

Këshilli i Mandateve ka vendosur që të hënë në orën 17.00 të ketë një seancë plenare të posaçme dhe aty do të bëhet votimi, ku pritet t’i hapet rruga SPAK-ut të lëshojë urdhër arresti për Ahmetajn.  /Pamfleti

ahmetaj spak arrestim

Lini një Përgjigje