Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pas anulimit të takimit të përbashkët në mes dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë vendim nga kryeministri Rama ai e quan lajm të keq për të gjithë shqiptarët. Në postimin e tij në Facebook ai shkruan gjithashtu se Kosova po vazhdon rrugën e izolimit dhe vetmisë.
Kryetari i LKD u tregua kritik ndaj Kurtit duke thënë se avancon kauzat kombëtare drejt përëndimit.
"Lajmi për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive është lajm i keq për shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, në Luginë, Maqedoni e Mal të Zi. Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtojë drejt izolimit e vetmisë. Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë. Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë. Rrugëtimi i Kurtit, përplasës me perëndimin, rrezikon vetë shtetësinë e Republikës. Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjell krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor. Kosovës i duhen miqtë. Kosovës i duhen partnerët strategjik", shkruan Abdixhiku.
Kujtojmë se, ditën e djeshme kryeministri Edi Rama disa orë para mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë mori vendimin për ta anuluar këtë mbledhje, pasi sipas tij nuk mund të bëjnë sikur gjithçka është në rregull në Kosovë. Rama i kërkoi Albin Kurtit që të ndryshonin planin për mbledhjen dhe të diskutonin mbi situatën në veri, gjë që sipas tij, Kurti e kundërshtoi.
Lini një Përgjigje