
Bashkimi Evropian ka gati paketën e sanksioneve për Kosovën. Ashtu siç ishte parlajmëruar, Brukseli do të vendosë kufizime ndaj Prishtinës dhe zyrtarëve të qeverisë për shkak të tensioneve në Veri.
Sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë pezullimin e punës së grupeve të përbashkëta mes Kosovës dhe BE-së, të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Sipas “Radio Evropa e Lirës”, po ashtu do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
BE, po ashtu do të ulë praninë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.
Që prej 26 majit tensionet në Veri të Kosovës kanë agravuar ndjeshëm. Kryetarët e komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq hynë në zyrat e tyre me ndihmën e policisë. Kjo solli konfrontim dhe përplasje. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë. Pas kësaj situate, BE dhe SHBA paralajmëruan sanksione ndaj Kosovës dhe duket se Brukseli do të nisë kufizimet nëse nuk ka reflektim nga ana e Albin Kurtit.
Lini një Përgjigje