TAGS-AT E JAVËS

Kosova13 Qershor 2023, 19:32

Ambasada britanike për planin e Kurtit: Të ndërmerren hapa për shtensionim të situatës në Veri

Shkruar nga Pamfleti

Ambasada britanike për planin e Kurtit: Të ndërmerren hapa

Ambasada britanike në Prishtinë tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk i ka dërguar QUINT-it planin e tij për shtensionimin e situatës në veri, megjithatë gjatë takimit më 13 qershor, ambasadorët kanë diskutuar për këtë plan.

Kurti të martën paraqiti një plan 5-pikësh, që tha se do të ndihmonte në shtensionimin e situatës. Ai tha se këtë plan e ka dërguar shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe ua ka paraqitur edhe përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.

“Qartazi, zgjedhjet e reja lokale, ku do të merrte pjesë edhe popullata serbe e Kosovës, janë një zgjidhje e mundshme. Megjithatë, qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar vazhdon të jetë se fillimisht duhet të ndërmerren hapa për të shtensionuar menjëherë situatën, posaçërisht duhet të largohen njësitë speciale të policisë nga ndërtesat e komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe se kryetarët e këtyre komunave të vazhdojnë punën e tyre nga lokacione alternative”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada britanike në pyetjen lidhur me qëndrimin e tyre për planin e prezantuar nga Kurti.

Bashkimi Evropian kritikoi Kurtin duke thënë se deri më tani “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur” për të shtensionauar situatën.

“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai tha se blloku evropian po vazhdon shqyrtimin e masave ndaj Kosovës, nëse Prishtina nuk merr hapat për të shtensionuar situatën.

Në ditën e njëjtë që Kurti njoftoi për planin e tij, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion në Mitrovicë të Veriut. Gjatë këtij aksioni u arrestuan Millun Millenkoviç- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

kurti ambasada britanike

Lini një Përgjigje