
Qeveria e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për anulimin e takimit të nesërm në Gjakovë.
Të mërkurën pritej të mbahej mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, por Rama e anuloi takimin me pretekstin se situata në Kosovë nuk e lejon një gjë të tillë. Ai kërkoi takim bilateral me Albin Kurtin në prani të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, me fokus situatën në veri. Por Kurti nuk ka pranuar dhe ka këmbëngulur që të mbahet mbledhja mes dy qeverive sikundër ishte planifikuar. Por Rama ka refuzuar dhe praktikisht mbledhja u anulua.
Qeveria e Kosovës në një dekoratë për mediat shprehet se takimi që ka kërkuar Rama mund të mbahej edhe në një ditë tjetër, teksa shprehet se është hera e parë që një mbledhje e tillë anulohet në mënyrë të njëanshme.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”, shprehet qeveria e Kosovës.
Rama doli këtë mbrëmje në një konferencë për mediat dhe tentoi të justifikojë anulimin e mbledhjes. Por duket se reagimi i tij erdhi pas deklaratave të Kurtit në mesditë, i cili rrëzoi draftin për asociacionin.
“Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur me Borrellin, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë me ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes për të folur pikërisht për këtë situatë që po e çon në mënyrë dramatike Kosovën me bashkinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme", tha ai.
Lini një Përgjigje