TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Qershor 2023, 19:39

Raportet Tiranë-Prishtinë në pikën zero, Rama konfirmon anulimin e mbledhjes mes dy qeverive

Shkruar nga Pamfleti

Raportet Tiranë-Prishtinë në pikën zero, Rama konfirmon

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar anulimin e mbledhjes së përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Nesër pritej të mbahej një takim në Gjakovë, por pas deklaratave të sotme të Albin Kurtit, i cili refuzoi draftin për asociacionin, kryeminsitri shqiptar ka ndryshuar kurs.

Ai ka kërkuar që të mos ketë mbledhje mes dy qeverive, por një takim mes tij e Kurtit, të shoqëruar nga ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, për të diskutuar për tensionet mes Serbisë dhe jo për raportet mes dy qeverive. Por kjo kërkesë është refuzuar nga Kurti, i cili ka kërkuar që të vijojë mbledhja e përbashkët. Mirëpo, kryeministri Rama ka deklaruar në një konferencë për gazetarët se situata është e tillë që nuk mund të ketë mbledhje. Ai tha se i ka lënë kohë qeverisë së Kosovës që të reflektojë për propozimin e tij.   

Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur me Borrellin, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë me ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes për të folur pikërisht për këtë situatë që po e çon në mënyrë dramatike Kosovën me bashkinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme", tha ai.

Me tej Rama tha se ka frikë se një plan shumë i rëndë për Kosovën mund të vihet në lëvizje, duke ju referuar sanksioneve që mund të ndërmarrin partnerët euro-atlantikë.

Në një pikë të paimagjinueshme ku kjo e fundit ka vënë gishtin në butonin që duhet të vërë në lëvizje planin e sanksioneve në shtetin që e ka krijuar vetë, për fat të keq më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhej normalisht dhe veç të diktojmë edhe për këtë. Por kjo nuk është e mundur pasi nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot. Unë shpresoj shumë që të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur jemi në prag të vënies në lëvizje të planit se nuk ma zë as goja të flas për sanksione por të masave shtrënguese të një shteti që është krijuar nga atë, që qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit. Kam bërë një përpjekje për t’ju kërkuar edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën do të vihet në lëvizje”, tha Rama.

I pyetur se përse ndërhyn ai, kur i zoti i punës, pra Albin Kurti është dakord për mbajtjen e mbledhjes, Rama tha se marrëdhënia e dy vendeve tona është një marrëdhënie vëllazërore, por se kjo nuk mjafton që Shqipëria të shkëputet nga boshti i qëndrimeve euroatlantike në lidhje me tensionet mes Kosovës e Serbisë.

Nuk është fjala për të zotin e hallit sepse halli është i Kosovës por është edhe i shqiptarëve, i kombit që rrezikon të dalë në një dritë jo të mirë në sytë e atyre që e kanë bërë këtë komb të jetë në ditët e veta më të mira në historinë e tij mijëravjeçare. Halli nuk është i Kurtit, por i qytetarëve të Kosovës, Kosovës e të gjithë shqiptarëve”, tha ai.

Ai u pyet nga gazetarët nëse anulimi i mbledhjes kishte lidhje me deklaratat e fundit të Albin Kurtit, por ai e mohoi diçka të tillë.

Rama shtoi se fakti që Kurti shpreh çfarë mendon hapur dhe anasjelltas, tregon se marrëdhënia mes tyre është tepër e mirë dhe afërt.

Por pavarësisht deklaratave të Ramës, është pothuajse e sigurt se deklaratat e sotme të Kurtit kanë sjellë anulimin e mbledhjes së dy qeverive. Kjo pasi Rama mund ta kishte anuluar edhe para dy ditësh mbledhjen, nëse shkaku i anulimit të saj është agravimi i situatës mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve.

Zero sepse së pari përpjekja ime për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës nuk ka filluar sot, ka disa ditë që i kam kërkuar të takohemi për të folur për këtë situatë. Për mua nuk ka surpriza apo gjëra të panjohura me Albinin sepse siç më njeh ai mua e njoh edhe unë atë edhe është i sinqertë në atë që thotë. Ai beson vërtet se thotë diçka të rëndësishme dhe duhet ta marr në konsideratë dhe e fundit, zero sepse ka dy njerëz që janë të painteresuar për asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë por janë të interesuar që asociacioni të mos krijohet dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme iu duhet armiku i jashtëm. Pse i çon presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën”, tha ai.

rama kurti

Lini një Përgjigje