TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Prill 2026, 10:05

Anëtarësimi pa të drejtë vote në BE/ Merz mbështet Zelenskyn, por jo Rama-Vuçiç

Shkruar nga Pamfleti
Anëtarësimi pa të drejtë vote në BE/ Merz mbështet
Kancelari gjerman Merz

Ideja për një anëtarësim të shpejtë, pa të drejtë vote, u hodh nga Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç, por ajo u kundërshtua nga liderë të vendeve anëtare të BE-së, që e konsideruan “shtetin ligjor” si një kusht të panegociushëm…

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, propozuan publikisht disa javë më parë një formulë për anëtarësimin e dy vendeve, Shqipërisë dhe Serbisë në Bashkimin Europian, pa të drejtë vote.

Përmes një editoriali të publikuar në median gjermane, Rama e Vuçiç, propozuan që vendet të anëtarësoheshin në BE përmes një procedure të përshpejtuar.

Kjo mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të BE-së pa e rënduar arkitekturën e vendimmarrjes së BE-së dhe pa ndryshuar ekuilibrin e saj institucional. Kjo do të thoshte as të drejta vetoje, as komisionerë shtesë, anëtarë të Parlamentit Evropian apo ndryshime në strukturat e votimit. Jemi të bindur se kjo do të lehtësonte shqetësimet e atyre shteteve anëtare që ngurrojnë të zgjerohen në një zgjerim më të madh”, thuhet në editorialin e Ramës dhe Vuçiç.

Në vijim, Rama e Vuçiç theksojnë se “t’u thuash anëtarëve të ardhshëm se duhet të presin për reformat e BE-së përpara se të bashkohen do të ishte e barabartë me mbylljen e derës. Kjo do të ishte e gabuar, kundërproduktive dhe madje e rrezikshme në këto kohë”.

Pas kësaj ideje të artikuluar nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë, erdhi një reagim nga Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës. Ai kërkoi një anëtarësim të Ukrainës në BE në mënyrë të përshpejtuar, pa përmendur nëse vendi i tij do të pranonte të ishte pjesë e Unionit pa të drejtën e vetos.

Pas propozimit të hedhur nga Rama e Vuçiç pati një seri reagimesh, qoftë nga Brukseli ashtu edhe nga liderë të vendeve anëtare të BE-së. Ata vunë theksin në përmbushjen e standardeve, duke dhënë sinjale të qarta se shteti i së drejtës, ishte një kusht i panegociushëm për BE-në.

Madje, kancelari gjerman Friedrich Merz, deklaronte se të gjitha vendet duhet së pari të përmbushin kriteret e Kopenhagës të vendosura nga Këshilli Europian në vitin 1993.

“Këto kërkojnë një rend demokratik dhe shtet të së drejtës të qëndrueshëm, një ekonomi funksionale tregu dhe aftësinë për të përmbushur të gjitha detyrimet e anëtarësimit, nga pranimi i objektivave politike deri te zbatimi i legjislacionit europian. Proceset zakonisht zgjasin disa vite”, deklaronte Merz.

Pas tij pati një seri reagimesh, mes të cilëve edhe ai i Marta Kos, Komisioneres për Zgjerimin, që e konsideroi të pamundur një anëtarësim të shpejtë, pa plotësimin e kushteve.

Me kalimin e ditëve, duket se gjërat kanë ndryshuar, por jo në raport me propozimin e Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç.

Së fundmi, kancelari gjerman foli në favor të përfshirjes më të ngushtë të Ukrainës në proceset e aktiviteteve të Bashkimit Evropian, duke theksuar se anëtarësimi i shpejtë i vendit në bllok është i pamundur, por Ukraina mund të ketë një integrim më të ‘ngushtë’ në institucionet europiane.

Si shembull të një ndërveprimi të tillë, kancelari përmendi pjesëmarrjen e mundshme të Presidentit të Ukrainës në takimet e Këshillit Evropian, por pa të drejtë vote, ose nëpërmjet përfshirjes graduale të Ukrainës në fusha të caktuara të politikave në varësi të gjendjes së reformave.

Merz theksoi nevojën për nisjen e një procesi me një strategji të afrimit gradual të Ukrainës me BE-në, në fund të të cilit, natyrisht, duhet të qëndrojë anëtarësimi i plotë".

"Por ne kemi nevojë për hapa të ndërmjetëm. Kam folur për këtë disa herë ditët e fundit me Presidentin Zelensky. Është e rëndësishme që ky afrim tani të përshpejtojë edhe negociatat e pranimit dhe të bëhet një urë drejt anëtarësimit të plotë në të ardhmen",  theksoi kancelarja gjermane.

Më parë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, theksoi se Kievi "nuk ka nevojë për anëtarësim simbolik në BE". Sipas tij, "Ukraina nuk po e mbron Evropën simbolikisht, por njerëzit po vdesin realisht".

Një ditë më parë, gjatë samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në Nikozia, Zelensky bëri thirrje  që në maj të vazhdohet me zhbllokimin e grupeve të negociatave për pranimin e Ukrainës në bllok. /Pamfleti/



merz rama be zelensky

1 Komente

  1. T
    Tony

    Gjermanet armiq te betuar me sllavet na qenkan bere kushurinj me Zelenskin e jo me ne Shqiptaret, wow! Ukraina ka dhjame e mish e na kemi hicgje per ta. Edhe turizmin e bregdetit qe e kerkuan pas Dhjerokracise nuk i lame e keshtu gjithsekush ne hise te vet. Nga te gjithe Gjermanet qe jam perballur asnje nuk me ka dale bure qe te kete respekt e considerate per kombin tone, kur ne te njejten kohe, Gjermania eshte kethyer ne hale grafiti nga tere llumi i botes shumengjyresh, qe ka shkuar atje. Le t'i gezoje!

    Lini një Përgjigje