TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Prill 2026, 12:28

“Anëtarësimi në BE brenda 2030”/ Rama vijon propagandën, çon në Kuvend raportin: Kushtet kyçe janë përmbushur

Shkruar nga Pamfleti
“Anëtarësimi në BE brenda 2030”/ Rama vijon
Edi Rama

Dokumenti përmbledh zhvillimet në negociatat për anëtarësim, reformat institucionale dhe përparimin në përafrimin me legjislacionin e BE-së...

Qeveria Rama pretendon se ka plotësuar kushtet kyçe për integrimin në Bashkimin Europian, ndërsa objektiv mbetet anëtarësimi në Union brenda vitit 2030. Kjo të paktën sipas një raporti të Qeverisë, sipas të cilit Shqipëria ka përparuar në negociatat me BE-në.

Në raportin e fundit që Qeveria ka dorëzuar në Kuvend evidentohet progresi në hapjen e kapitujve, reforma në drejtësi dhe përmbushja e kushteve kyçe të integrimit. Raporti përfshin hapat e hedhura përgjatë vitit 2025 dhe në 4 muajt e parë të 2026-ës. Pavarësisht se ka një ngecje të procesit në muajte fundit, ndërsa nga Komisioni Europian ka vënë theksin te lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar, Rama vijon propagandën, duke e kthyer procesin në një 'flamur' për suksese imagjinare.

Raporti IBAR për Shqipërinë është bllokuar, çka do të thotë se vendet anëtare të BE nuk janë bindur mbi atë që propagandohet nga Tirana zyrtare. Mali i Zi ndërkohë ka bërë hapa konkret përpara, ndërsa është krijuar edhe një grup pune ad hoc për përgatitjen e Marrëveshjes së Anëtarësimit.

Dokumenti përmbledh zhvillimet në negociatat për anëtarësim, reformat institucionale dhe përparimin në përafrimin me legjislacionin e BE-së.

Sipas raportit, Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave brenda një periudhe 13-mujore, një ritëm i cilësuar si ndër më të shpejtët në historinë e zgjerimit të BE-së. Procesi ka kaluar nga faza përgatitore në një fazë intensive negociuese, me fokus në përmbushjen e kushteve ndërmjetme dhe mbyllëse. Gjatë vitit 2025 janë zhvilluar disa konferenca ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku janë hapur negociatat për fusha kyçe si:

tregu i brendshëm,
konkurrueshmëria dhe rritja ekonomike,
agjenda e gjelbër,
bujqësia dhe kohezioni.

Qeveria synon që deri në vitin 2027 të përmbushë kushtet mbyllëse për një pjesë të kapitujve, ndërsa objektivi politik mbetet anëtarësimi në BE deri në vitin 2030.

Raporti thekson se një nga fushat kyçe të progresit mbetet reforma në drejtësi dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër theksohet se janë përmbushur 24 kushte të ndërmjetme për kapitujt që lidhen me drejtësinë dhe sigurinë, ndërsa janë adresuar 92 boshllëqe kritike në këtë sektor.

Ndër zhvillimet kryesore përmenden:

emërimet në institucionet kyçe si SPAK dhe BKH,
miratimi i ligjeve për forcimin e sistemit të drejtësisë,
ulja e çështjeve të prapambetura në gjykata,
rritja e hetimeve dhe vendimeve për korrupsion dhe krim të organizuar.

Të dhënat tregojnë rritje të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe një numër të konsiderueshëm vendimesh gjyqësore përfundimtare gjatë vitit 2025.

Raporti evidenton se është bërë progres në forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, në rritjen e vlerësimit për gjyqtarët e prokurorët, është evidentuar ulje e çështjeve të prapambetura. Referuar punës së SPAK, në raport thuhet se është vërejtur rritje në numër dhe cilësi sa i përket referimit të çështjeve lidhur me korrupsionin dhe krimit të organizuar. Së fundmi Mali i Zi ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm në raport me anëtarësimin në BE, ku është njoftuar krijimi i një grupi pune ad hoc për përgatitjen e Marrëveshjes së Anëtarësimit në Union.

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së. Gjatë periudhës raportuese janë miratuar dhjetëra ligje dhe akte nënligjore në fusha si:

drejtësia dhe të drejtat themelore,
lufta kundër korrupsionit,
mbrojtja e të dhënave personale,
media dhe liria e shprehjes,
arsimi dhe kërkimi shkencor.

Gjithashtu, është evidentuar progres në digjitalizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e transparencës institucionale.

Raporti nënvizon përmirësime në garantimin e të drejtave të njeriut, përfshirë:

ligje të reja për barazinë gjinore dhe mbrojtjen nga diskriminimi,
masa për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias,
rritjen e mbështetjes për grupet vulnerabël.

Në fushën sociale, është rritur financimi për shërbimet e strehimit dhe mbrojtjes sociale, ndërsa janë ndërmarrë hapa për deinstitucionalizimin e fëmijëve dhe përmirësimin e sistemit të kujdesit.

Megjithëse raporti evidenton progres të konsiderueshëm, disa sfida mbeten. Këtu përfshihen:

përfundimi i reformave në drejtësi dhe konsolidimi i rezultateve,
përmbushja e plotë e kushteve mbyllëse në të gjithë kapitujt,
forcimi i kapaciteteve administrative dhe institucionale,
garantimi i zbatimit praktik të legjislacionit.

Në disa fusha, si aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara apo transparenca në financimet politike, raporti identifikon nevojën për ndërhyrje të mëtejshme ligjore.

Për periudhën 2026–2028, prioritet kryesor mbetet përmbushja e kushteve mbyllëse dhe avancimi drejt fazës finale të negociatave. Qeveria parashikon:

thellimin e reformave institucionale,
rritjen e koordinimit ndërinstitucional,
integrimin e objektivave të BE-së në politikat buxhetore dhe strategjike.

Në raportin e publikuar nga Report TV, thuhet se 3 kapitujt: ‘Marrëdhëniet me Jashtë’, “Shkenca dhe Kërkimi Shkencor” dhe “Arsimi dhe Kultura”, konsiderohen si të arrira dhe se kërkesat teknike janë përmbushur.

Ndërkohë për kapitujt 6,7,20, dhe 32, sipas raportit të Qeverisë, është bërë progres i avancuar dhe do të konsiderohen të përmbushur në muajt pasardhës. Në kapitujt 4,5, dhe 21 puna vijon me prioritet dhe përmbushjen e kushteve teknike.

Sa i përket kushteve të ndërmjetme, në raport thuhet se Shqipëria ka avancuar me plotësimin e 24 piketave të përcaktuara për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

“Këto kushte përbëjnë pikat kyçe në negociatat e anëtarësimit, për të garantuar një ecuri të qëndrueshme dhe të besueshme veçanërisht në fushat e Shtetit të së Drejtës, reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në raport.

Çështja e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, mbetet një prej hallkave kryesore për anëtarësim. Krahasuar me vitin 2024 ku janë miratuar vetëm 82 akte, në vitin 2025-2026 janë miratuar në Kuvend 222 akte ligjore, duke treguar rritje të ndjeshme të aktivitetit normativ.

“Ky intensifikim tregon se procesi i përafrimit ka kaluar nga një fazë relativisht më e përgjithshme legjislative (në vitin 2024), drejt një faze shumë më të targetuar të transformimit evropian të vendit, me natyrë teknike, sektoriale dhe të orientuar drejt rezultateve, duke u udhëzuar nga prioritet e bisedimeve të negociatave, tashmë të qarta dhe të dakordësuara me BE për çdo fushë/kapitull, ku kërkohet:

• harmonizim i detajuar rregullator,

• ngritje mekanizmash zbatues,

• dhe forcim i kapaciteteve institucionale dhe atyre të tregut e më gjerë sistemit shoqëror”, thuhet në raport.

 

raporti be rama

Lini një Përgjigje