TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Prill 2026, 12:04

Berisha: AKSHI, dosje kriminale që përfshin Linda Ramën, Frangun dhe kryeministrin

Shkruar nga Pamfleti

Berisha: AKSHI, dosje kriminale që përfshin Linda Ramën, Frangun

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, akuzoi kryeministrin Edi Rama se vepron në funksion të interesave personale dhe familjare.

Ai theksoi se dosja e AKSHI-t përbën, sipas tij, një nga çështjet më të rënda dhe më kriminale, duke e lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryeministrit.

Ai përmendi drejtpërdrejt emrin e biznesmenit Armand Frangu, duke pretenduar se tenderat në AKSHI janë orientuar që të fitoheshin prej tij. Sipas Berishës, kjo është konfirmuar edhe nga një dëshmi e Gerond Meçes, i cili, sipas tij, ka deklaruar se kompania “ABS”, ndonëse e regjistruar në emrin e tij, në të vërtetë i përket Frangut.

Në vijim, Berisha përfshiu edhe akuza ndaj bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama, duke iu referuar dëshmisë së Meçes, sipas së cilës “Linda është patronazhistja e AKSHI-t”. Berisha hodhi akuza se pas emrit të përmendur në dosje fshihet “Linda e Surrelit”, duke sugjeruar përfshirje familjare dhe konflikt interesi në menaxhimin e tenderave publikë.

Ai shtoi se asnjë nga këta persona, përfshirë Armand Frangun, Edi Ramën apo Linda Ramën – nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje, pavarësisht se, sipas tij, emrat e tyre figurojnë në dosje.

"Edi Rama mendon vetëm për vetën dhe familjen e tij. Jam këtu për të denoncuar sakatimin që po i bëhet dosjes së AKSHI-t. Dosja e AKSHIt është një nga dosjet më të shëmtuara, më kriminale në historinë e vendit. Dosja e AKSHIT është dosja që familja e Ramës dhe Edi Rama kanë grabitur qindra miliona euro. AKSHI është agjencia e parë publike e shtetit shqiptar, në garën e të cilës janë marrë pengje disa persona, për shkak të tenderave sepse atu duhet ti fitonte Armand Frangu. AKSHI është agjencia, të cilës Edi Rama me një vendim qeverie 2017 përqendroi tek AKSHI tenderat kombëtare të fushës së teknologjisë. Dy vite më parë unë kam lexuar një informacion të marrë nga Prokuroria, në të cilën Gerond Mece, i regjistruar i thotë bashkëbiseduesit se kompania abs nuk është kompania ime, por e Armand Frangut, pavarësisht se është në emrin tim dhe se Linda është patronazhistja e AKSHI-t, Linda e Surrelit.

Keni parë të thirret ju Linda e Surrelit, është në dosje kjo. Keni parë të thirret Armand Frangu? Keni parë të thirret Edi Rama?! Kemi të bëjmë me një proces, i cili shpërtheu për shkak të meritës së Gerond Meçes, që u arratis në një ambasadë. Është edhe një shtetase tjetër që ka bërë dëshmi. Edhe Danieli që është një person enigmatik dhe problematik. Por edhe ai sipas disa burimeve mediatike ka bërë dëshmi rrëqethëse. Përqëndrimi mbetet tek Mirlinda, ndaj të cilës Rama u bë avokat publik. A mundet që të dalë një zyrtar i lartë dhe të mbrojë në konflikt të plotë interesi njërën Lindë kur prapa saj fshihej Linda tjetër. Kjo është mashtrim publik dhe dënohet 5 vjet e sipër dhe ne do ta dërgojmë në gjykatë për mashtrim publik. Mashtrim publik me konflikt interes brenda.", tha Berisha.

Lini një Përgjigje