Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së kundërshtoi akuzat e kreut demokrat Sali Berisha dhe kërkoi bashkëpunim politik për procesin e integrimit europian. Balla reagoi ndaj deklaratave të Sali Berishës, i cili akuzoi Edi Ramën se i ka mbyllur Shqipërisë derën e Bashkimit Europian.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së tha se qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin vjetor për ecurinë e vendit në procesin e anëtarësimit. Sipas tij, Shqipëria ka përmbushur detyrimet që lidhen me këtë proces dhe kjo konfirmohet nga institucionet europiane.
Balla theksoi se raporti i Komisionit Europian vlerëson si të përmbushura të gjitha piketat e ndërmjetme dhe se procedura vijon nga Komisioni Europian te Këshilli dhe më pas te shtetet anëtare.
Ai përmendi edhe deklarimet e bëra nga Marta Kos dhe Kaja Kallas, sipas të cilave objektivi për përmbylljen e procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030 konsiderohet realist. Po ashtu, ai tha se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të përgatiten për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029.
Balla i bëri thirrje opozitës për bashkëpunim dhe ndalimin e akuzave ndaj vendit.
“Ka mbërritur raporti vjetor i qeverisë për rrugën drejt BE. Ajo që duhet tua themi me krenari shqiptarëve, është fakt nga KE, PE dhe KiE , se Shqipëria ka përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë sonë të përbashkët në BE. Të gjitha piketat e ndërmjetme sipas raportit të KE janë përmbushur, ka një procedurë që të gjithë e dimë që nga KE kalon të Këshilli dhe nga Këshilli të vendet anëtare.
Brenda fillimit të qershorit, sikurse u komunikua nga Kos dhe Kallas, se pritshmëria e Shqipërisë për të përmbushur procesin e anëtarësimit brenda 2030-ës është realiste, madje po citoj Kallas që tha se Shqipëria bashkë me malin e zi duhet të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029. Ky është fakt, sa i përket gjithë këtyre emaileve që the, habereve që the. Hiqni dorë nga kjo baltë që hidhni kundër Shqipërisë, nuk e keni Shqipërinë vend armik. Nuk ju zgjedhim dot, por është momenti të punojmë bashkë. Nuk iu bën nder të shani nga mëngjesi në darkë”, tha Balla.
Lini një Përgjigje