
Vendi fqinj është shndërruar në një pikë strategjike depërtimi për interesat e Kremlinit përmes politikave të buta të vizave dhe kapitalit gri. Ndërhyrja hibride synon fragmentimin e kohezionit politik evropian duke nxitur ndjenjat separatiste dhe duke bashkëpunuar me rrjetet lokale të krimit të organizuar...
Italia po funksionon si një korridor i butë hyrjeje për rrjetet ruse në Bashkimin Evropian, ku politikat e vizave, kapitali dhe rrjetet e ndikimit po krijojnë një mjedis të shfrytëzueshëm që rrit rreziqet për sigurinë dhe kohezionin evropian përmes metodave hibride.
Italia është shndërruar në nyjen më të rëndësishme të aksesit për rusët në hapësirën Schengen, duke mbajtur vendin e parë në BE për numrin e vizave të lëshuara. Vetëm gjatë vitit 2023 konsullatat italiane lëshuan rreth 143.000 viza për shtetasit rusë.
Me një shkallë refuzimi prej vetëm 10-12 për qind, ky sistem lehtëson futjen e operativëve nën mbulimin civil, ndërkohë që para dëbimeve masive të vitit 2022, vendi strehonte mbi 80 diplomatë rusë që dyshohej se koordinonin celula informale për operacione influence.
Doktrina ruse në Itali nuk synon pushtimin, por fragmentimin e brendshëm përmes nxitjes së ndjenjave rajonale dhe separatiste, veçanërisht në veriun e pasur si Lombardia dhe Veneto, duke investuar në iniciativa të vetëvendosjes për të dobësuar autoritetin e Romës dhe për të paralizuar vendimmarrjen pro-BE.
Kjo propagandë dixhitale, mbështetet nga faktet se rreth 10-15 për qind e llogarive që përforcojnë narrativat anti-NATO dhe nxisin mosbesim ndaj institucioneve, kanë lidhje teknike me laboratorët e dezinformimit në Rusi, duke shfrytëzuar pakënaqësitë ekonomike për kauza gjeopolitike.
Paralelisht, prania e elitave ruse në zona si Liqeni i Comos, Toscana dhe Sardenja shërben si një mekanizëm i pastrimit të parave në shkallë të gjerë, ku në Costa Smeralda rreth 20-25 për qind e pronave luksoze kontrollohen nga rusët përmes strukturave offshore.
Fluksi i kapitalit gri llogaritet në qindra miliona euro në vit dhe ndonëse Italia ka ngrirë mbi 2.5 miliardë euro asete, kjo mbetet vetëm “maja e ajsbergut” e një ekosistemi që ushqen rrjetet hibride.
Në dallim nga mafiet tradicionale, krimi rus vepron me dukshmëri të ulët dhe vlerë të lartë, duke bashkëpunuar me grupet lokale për logjistikë dhe shmangie të sanksioneve, çka e bën pothuajse të pamundur për shërbimet e sigurisë të dallojnë kufirin midis krimit të zakonshëm dhe operacioneve shtetërore të destabilizimit në zemër të Evropës.
Kjo arkitekturë e ndikimit nuk është një fenomen i rastësishëm, por një strategji e mirëfilltë e “gërryerjes së institucioneve” që shfrytëzon lidhjet historike dhe ekonomike midis Romës dhe Moskës për të hapur çara në unitetin euro-atlantik.
Procesi i lëshimit të vizave, shërben si një sitë ku elementët e shërbimit sekret rus kalojnë me lehtësi, duke përdorur mbulimin e aktiviteteve kulturore apo tregtare për të ndërtuar qendra logjistike që qëndrojnë aktive për vite me radhë pa u zbuluar.
Në nivelin administrativ, kapacitetet e reduktuara të verifikimit dhe dëshira për të mos dëmtuar sektorin e turizmit, i cili ndikon ndjeshëm në PBB-në italiane, kanë krijuar një zonë të verbër ku elementët armiqësorë mund të operojnë me një liri të jashtëzakonshme.
Në këtë kontekst, Lufta hibride merr trajta akoma më të rrezikshme, kur ndërthuret me dobësitë strukturore të shtetit italian, veçanërisht në zonat ku ndjenja e përkatësisë rajonale është më e fortë se ajo kombëtare.
Rusia i ka identifikuar këto vatra pakënaqësie dhe ka financuar në mënyrë të tërthortë rrjete që promovojnë autonominë, jo me synimin për të krijuar shtete të reja, por për të nxitur një kaos administrativ që e bën Italinë një partnere të paqëndrueshme brenda BE-së.
Dezinformimi nuk është thjesht çështje e lajmeve të rreme, por një ndërhyrje kirurgjikale në opinionin publik përmes llogarive të sofistikuara që operojnë në gjuhën italiane, duke përkthyer dhe përshtatur ideologjinë e Kremlinit në terma të pranueshëm për publikun lokal, siç është sovranizmi ekonomik apo kundërshtimi i sanksioneve që dëmtojnë bizneset e vogla në veriun e vendit.
Mekanizmi i pastrimit të parave është po aq kompleks, duke përdorur një rrjet të dendur ndërmjetësish, noterësh dhe avokatësh që me dashje ose pa dashje, bëhen pjesë e makinerisë ruse të riciklimit të fondeve.
Pronat luksoze në Sardenjë apo Toscana nuk janë thjesht objekte luksit, por asete funksionale ku mbahen takime të fshehta dhe ku krijohen lidhje me politikanë lokalë dhe figura të rëndësishme të biznesit.
Ky rrjetëzim krijon një mburojë mbrojtëse për interesat ruse, pasi sulmi ndaj këtyre interesave fillon të perceptohet si sulm ndaj ekonomisë lokale italiane, duke krijuar një presion të brendshëm mbi qeverinë për të zbutur qëndrimet ndaj Moskës.
Në fushën e krimit të organizuar, integrimi i grupeve ruse me mafiet tradicionale si 'Ndrangheta ka krijuar një simbiozë të re kriminale, ku metodat e brutale të së shkuarës janë zëvendësuar me operacione financiare të teknologjisë së lartë dhe lëvizje të kapitaleve përmes kriptomonedhave për të anashkaluar mbikëqyrjen ndërkombëtare.
Kjo bashkëjetesë e qetë midis krimit rus dhe atij italian, bazohet në ndarjen e fitimeve dhe në ofrimin e infrastrukturës logjistike për lëvizjen e mallrave të sanksionuara, duke e kthyer Italinë në një stacion tranzit për teknologjitë e ndaluara që udhëtojnë drejt Rusisë përmes vendeve të treta.
Shifrat prej 2.5 miliardë euro asete të ngrira, dëshmojnë vetëm për asetet që ishin lehtësisht të gjurmueshme. Por pjesa më e madhe e pasurisë mbetet e fshehur nën emra të rremë dhe struktura juridike në shtete që nuk bashkëpunojnë me autoritetet evropiane.
Rreziku është që kjo prani kaq e dendur dhe e shtresëzuar e ndikimit rus të kthehet në një faktor të përhershëm dhe të pandryshueshëm të realitetit italian, duke e bërë Italinë një “Kalë Troje” brenda proceseve vendimmarrëse të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku mund të rrjedhë informacioni i ndjeshëm dhe ku uniteti kolektiv mund të minohet në çdo krizë të ardhshme gjeopolitike.
Kjo situatë kërkon një rishikim rrënjësor të bashkëpunimit të inteligjencës në nivel evropian, pasi suksesi i operacioneve ruse në Itali nuk varet vetëm nga aftësia e tyre, por nga mungesa e një reagimi të unifikuar dhe nga ekzistenca e këtyre “vrimave të zeza” ligjore dhe administrative që lejojnë depërtimin e vazhdueshëm të ndikimit dashakeq në zemër të demokracisë perëndimore./Pamfleti nga “Lansing Institute”
Lini një Përgjigje