Mesazhe për nevojën që Bashkimi Evropian të përgatitet për skenarët më të këqij në rast të vazhdimit të bllokimit të Ngushticave të Hormuzit, ndërsa Athina dhe Tirana shfaqin një klimë afrimi politik dhe ekonomik
Kyriakos Mitsotakis dhe Antonio Costa dërguan së bashku mesazhe për nevojën që Bashkimi Evropian të përgatitet për skenarët më të këqij, nëse vazhdon bllokimi i Ngushticave të Hormuzit.
Forumi i Delfit po rezulton këtë vit një stacion i rëndësishëm transferimi idesh, pasi drejtues të ndryshëm shtetesh, komisionerë, ministra dhe në përgjithësi figura me ndikim, shprehin aty qëndrime me peshë dhe më pas nisen me avion për në Larnakë, ku sot dhe nesër zhvillohet Samiti i Bashkimit Evropian.
Kryeministri grek iu referua një “plani B”, ndërsa e krahasoi krizën që mund të shkaktohet nga goditja në transportin detar ndërkombëtar me krizën e pandemisë së koronavirusit dhe me atë të luftës në Ukrainë.
Me fjalë të tjera, sipas këtij arsyetimi, liderët evropianë do të bënin mirë të fillonin që tani të mendonin për një paketë financimi horizontale për të gjithë, me qëllim që qytetarët të mos shpërthejnë për shkak të shtrenjtimit të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë, dhe të mos fillojnë të reagojnë politikisht përmes votës. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhjet greke, por kryesisht për ato franceze, të cilat do të mbahen po ashtu pas një viti, në maj të vitit 2027, pa Emmanuel Macron kandidat, pasi Franca ka kufizim kushtetues për mandatet e njëpasnjëshme presidenciale.
Pengesa u hoq
Këto çështje Kyriakos dhe Macron do t’i diskutojnë nga afër nesër pasdite dhe të shtunën, por më parë do të zhvillohet Samiti i Bashkimit Evropian në Nikozia. Në axhendën e tij përfshihet, ndër të tjera, zhbllokimi i kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, si edhe paketa e 20-të, e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat i kishte bllokuar të dyja Viktor Orbán.
Debutimin në Këshillin e tij të parë do ta bëjë pasardhësi i tij në postin e kryeministrit të Hungarisë, Péter Magyar, i cili, përveçse ul mesataren e moshës, sjell edhe një lloj aureole “ylli” në Këshill. Natyrisht, në tryezë do të jenë edhe çështjet gjeopolitike, siguria evropiane, por edhe propozimi spanjoll që Bashkimi Evropian të shkëputet nga Izraeli.
Në analizën e medias greke, thuhet me ironi se Pedro Sánchez nuk ka kërkuar ende që Turqia dhe aleatët e saj, si Irani, të përfshihen më thellë. Megjithatë, ai vlerëson se kjo e fundit nuk ka gjasa të ecë, pasi Gjermania ka dhënë tashmë sinjalin se gjëra të tilla nuk bëhen.
Rama i ‘mbushur me mjaltë’
Ndërkohë, kryeministri shqiptar Edi Rama ishte “i mbushur me mjaltë”, kur mbërriti në Pallatin Maximos për takimin me homologun e tij grek. Dhe u shpreh “ju falënderoj shumë”, “çfarë vendi të bukur që keni, të cilin e adhuroj”, pastaj sërish “ju falënderoj sinqerisht për mbështetjen”, “është nder për mua të jem këtu”, “më falni që nuk u vesha siç duhej”, si edhe buzëqeshje e përsëri “mjaltë”.
Zoti Rama ka kuptuar jo vetëm ngritjen gjeopolitike të Greqisë me mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara, por edhe peshën e Kyriakos Mitsotakis brenda Bashkimit Evropian, si dhe rolin e Greqisë në çështjet energjetike.
Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Evropian dhe e di se pa Greqinë kjo derë nuk do të hapet kurrë. Gjatë takimit, Kyriakos Mitsotakis u soll me takt. Ai shmangu t’u referohej problemeve që lidhen me të drejtat e pronësisë së vorio-epirotëve dhe të minoritetit grek, uzurpimit dhe përvetësimit të ashpër të tokave në Sarandë, çështje për të cilat, sipas autorit, Fredi Beleri qëndroi për një vit në burg me qëllim që të hiqej nga posti i kryebashkiakut, si edhe çështjeve të tjera të ngjashme.
Ai e la Ramën të fliste vetëm për një “gjemb”, përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike me referim në Hagë, pasi edhe aty, pala shqiptare vë në dyshim çështje sovraniteti, shkruan media greke.
Rama la të hapur mundësinë që në vjeshtë të ketë një padi në Gjykatën e Hagës mbi bazën e një kompromisi të përbashkët juridik.
Pas Pallatit Maximos, zoti Rama, për të cilin Athina vite më parë kishte organizuar edhe një ekspozitë të tërë në Zappeion, shkoi drejt Delfit. Atje, kur u pyet nga Alexis Papachelas i gazetës Kathimerini për burgosjen e Belerit, ai nuk e fshehu bezdinë, duke thënë se nuk ekziston më ndonjë çështje, pasi ish-i burgosuri i tij tani është eurodeputet.

Megjithatë, më interesant se vetë prania e Ramës ishte zhvillimi paralel, pasi u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) ndërmjet Fondit të Pasurive Publike të Greqisë (Growth Fund of Greece) dhe Fondit Shqiptar të Investimeve (Albanian Investment Corporation - AIC).
Siç tha drejtori ekzekutiv i Fondit grek, G. Papachristou, Memorandumi “dërgon një mesazh shumë të fortë për komunitetin ndërkombëtar të investimeve se vendet tona fqinje janë të hapura ndaj botës dhe të gatshme të ecin përpara së bashku”.
Ndërsa Elira Kokona, drejtoreshë ekzekutive e Fondit Shqiptar të Investimeve, theksoi se “të dy organizmat nuk nisin nga zeroja, pasi kanë tashmë portofol aktiv, por tani do të mund të identifikojnë së bashku mundësi, të strukturojnë projekte dhe t’ua paraqesin ato investitorëve”.
Në artikull thuhet se ndonëse nuk ka informacione mbi asetet e fondit shqiptar, por kujton se fondi grek ka në administrim të gjithë pasurinë publike të shtetit grek, ndërsa figura të opozitës kryesore, si Pavlos Geroulanos, janë shprehur vazhdimisht për nevojën që ky fond të mbyllet, duke argumentuar se tashmë nuk ka më arsye për ekzistencën e tij.
Nga ana tjetër, lindin një sërë pyetjesh se përse fondi grek zgjodhi të bashkëpunojë me fondin shqiptar dhe cilat janë këto mundësi të përbashkëta investimi që të dy palët do t’ua paraqesin investitorëve.
Dhe artikulli mbyllet me pyetjen ironike: Mos vallë prandaj Rama ishte “gjithë mjaltë”? /Përshtatur nga Newsbomb.gr/
Lini një Përgjigje