TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Prill 2026, 07:13

Nga Nju Jorku në Tiranë, pasaporta shqiptare e Eric Adams trazon skenën politike; mister motivet

Shkruar nga Pamfleti
Nga Nju Jorku në Tiranë, pasaporta shqiptare e Eric Adams trazon
Eric Adams në Samitin e Diasporës

Adams i tha një turme entuziaste në Tiranë se, ndonëse është krenar që është amerikan, tani është edhe shqiptar. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut tha se do të zgjeronte lidhjet me Shqipërinë, ndërsa mbeten të paqarta arsyet zyrtare të këtij vendimi…

Një njësi e vogël bashkiake në kryeqytetin e Shqipërisë ka mirëpritur banorin e saj më të ri: ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Eric Adams, i cili tashmë është bërë edhe shtetas i plotë shqiptar. Megjithatë, një pyetje qendrore mbetet: Pse?

Adams tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare kur mori shtetësinë shqiptare, por tani ka shkuar edhe më tej, duke u regjistruar zyrtarisht si banor në lagjen e tij të re dhe duke dhënë gjurmët e gishtave dhe fotografinë për kartën e identitetit dhe pasaportën shqiptare.

Florian Pullazi, drejtues i Njësisë Administrative nr. 2, ku Adams tashmë banon zyrtarisht, nuk konfirmoi për Politico nëse Adams do të jetojë realisht në Tiranë apo cilat janë motivet e tij për marrjen e shtetësisë dhe pasaportës. Megjithatë, ai deklaroi se marrja e shtetësisë nga Adams pasqyron “lidhjet e gjata dhe të thella mes qytetit të Nju Jorkut dhe komunitetit shqiptar në SHBA”.

Pullazi e përshkroi ish-kryebashkiakun si “mik të madh të shqiptarëve”, “politikan të njohur për fokusin në çështjet publike” dhe “ish-kapiten të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut”.

Pasaporta shqiptare, e renditur e 43-ta në botë në vitin 2025 sipas Indeksit Henley, i jep mbajtësit mundësinë për të udhëtuar pa vizë ose me vizë në mbërritje në 123 vende. Edhe pse Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, pasaporta e saj lejon hyrjen në zonën Schengen për deri në 90 ditë. Brenda vendit, Adams do të ketë të drejtë të jetojë dhe punojë, të votojë, të blejë tokë bujqësore, të përdorë shërbimet shëndetësore dhe madje të kandidojë në zgjedhje vendore apo kombëtare.

Në fakt, në nivel lokal kanë qarkulluar spekulime se Adams mund të synojë të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, pasi kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj, ndodhet në burg prej më shumë se një viti për akuza korrupsioni dhe keqpërdorimi financiar.

Megjithatë, një person pranë Adams, që foli në kushte anonimiteti, tha se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë diskutim për kandidim dhe kuptohet se Adams po e merr shtetësinë për arsye biznesi në nivel lokal.

“Mendoj se ka mundësi më të mira, le ta themi kështu”, u shpreh ai, duke iu referuar postit të kryebashkiakut të Tiranës.

Alisa Roever, ish-modele dhe mike e Adams që drejton një fondacion me vëllain e tij, gjithashtu e përjashtoi mundësinë e angazhimit të tij politik në Shqipëri. “Është plotësisht jashtë diskutimit”, tha ajo.

Disa persona të tjerë shprehën bindjen se ky hap lidhet me interesa biznesi dhe me “marrëdhënie shumë të mira” që Adams ka në vend.

Adams nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Politico.

Adams në Shqipëri

Adams u largua nga detyra në fund të vitit 2025 pas një mandati të vetëm të shoqëruar nga skandale korrupsioni, disa prej të cilave kishin lidhje ndërkombëtare.

Aktakuza e shtatorit 2024 e akuzonte atë për dhënie favorsh politike për përfaqësues të qeverisë turke në këmbim të ryshfeteve, si bileta avioni me çmime shumë të ulëta dhe qëndrime falas në hotele luksoze. Çështja u rrëzua vitin e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i administratës së Presidentit Donald Trump, në një marrëveshje që gjyqtari e cilësoi si të ngjashme me një pazar mes Trump dhe ish-kryebashkiakut.

Adams vizitoi për herë të parë Shqipërinë në tetor 2025, kur ishte ende kryebashkiak dhe përballej me pasojat politike të skandalit të korrupsionit.

Vizita e tij e shkurtër ngriti pikëpyetje, veçanërisht kur ai u takua me kryeministrin Edi Rama, i cili gjithashtu përballet me akuza për korrupsion nga opozita. Gjatë takimit, ata diskutuan zhvillimin e turizmit dhe biznesit mes dy vendeve, si dhe mundësinë e një fluturimi direkt drejt Nju Jorkut.

Kryebashkiaku i atëhershëm foli pozitivisht për Tiranën, duke e cilësuar si një “komunitet në zhvillim dhe qytet që po ecën në drejtimin e duhur”.

“Doja të vija këtu për të mësuar më shumë rreth teknologjisë dhe mënyrës se si ky kryeministër ka arritur të menaxhojë transformimin e këtij vendi dhe qyteti”, u shpreh ai.

Ndërkohë që fluturimi direkt ende nuk është realizuar, Adams e ka çuar më tej mbështetjen e tij për Shqipërinë.

Krenar që është shqiptar

Më 10 prill u njoftua se, me një dekret të posaçëm të Presidentit Bajram Begaj, Adams kishte marrë shtetësinë shqiptare. Zakonisht, shtetësia shqiptare jepet përmes lidhjeve familjare ose pas një periudhe të gjatë qëndrimi në vend, si dhe pas kalimit të provimeve të gjuhës dhe historisë. Megjithatë, në raste të veçanta, ajo mund të jepet me procedurë të përshpejtuar për kontribute të rëndësishme në fusha si shkenca, ekonomia ose kultura, siç ndodhi në vitin 2022 me këngëtaren Dua Lipa.

Politico nuk arriti të konfirmojë kushtet konkrete në të cilat Adams mori shtetësinë dhe çfarë kontributesh ka dhënë apo pritet të japë në Shqipëri.

Sa i përket lagjes së tij të re, Njësia Administrative nr. 2 karakterizohet nga pallate pesëkatëshe të periudhës komuniste, një treg fermerësh, një shkollë baleti dhe një treg rrobash të përdorura. Mes banorëve të njohur përfshihen disa ish-kryeministra dhe ish-presidentë, sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula, dhe tani edhe Adams.

Vetëm disa orë pasi dorëzoi të dhënat biometrike në zyrën vendore, Adams u shfaq në Samitin e Diasporës në Tiranë, me një grafik të madh të flamurit shqiptar pas tij dhe me plis në kokë. Aty, mes duartrokitjeve, ai mori pasaportën e re nga kryeministri Edi Rama.

Shqiptarët do të thoshin se e dinin që kjo do të ndodhte, por në fakt askush nuk e priste ta shihte që ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut do të bëhej qytetar i Tiranës dhe i Shqipërisë”, tha Rama para të pranishmëve.

Adams e pranoi pasaportën dhe deklaroi: “dua të jem amerikan, por sot, falë kryeministrit tuaj, jam shqiptar.” /Përshtatur nga Politico/

 

 

eric adams pasaporta shqiptare motivet

1 Komente

  1. T
    Tony

    Nuk kam para e degjuar te tilla pallavra ne ndonje shtet te Europes.

    Lini një Përgjigje