Gjatë vizitës sot në Greqi, Rama dhe Mitsotakis kanë folur edhe për çështjen e kufirit detar. Ishte ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, që konfirmoi se palët kanë rënë dakord për të ecur para me çështjet e mbetura pezull.
Ndërkohë në Forumin e Delfit, kryeministri Rama është pyetur mbi këtë gjë, si dhe për marrëveshjen e vitit 2009 të firmosur nga qeveria Berisha, ku për koincidencë, kryenegociator ka qenë Ferit Hoxha, sot ministër i Ramës. Por kryeministri pranoi se e ka shfrytëzuar atë marrëveshje thjesht për të bërë politikë.
-Ka një diskutim midis dy vendeve për zonat ekskluzive ekonomike, ka pasur një marrëveshje midis dy vendeve, keni qenë kundër kur ishit në opozitë, pastaj në 2020 thatë që ishit gati të negocionit me Greqinë dhe ta çoni në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, a po ndodh gjë në këtë front?
Edi Rama: E vërteta ka më shumë nuanca, nuk ishte që unë isha kundër kësaj, por pasi marrëveshja u bë publike. Një personalitet i ushtrisë doli me një artikull të plotë, të mbushur me kritika dhe kjo e ndezi mjedisin. Nuk ndodh vetëm këtu që të ketë një reagim të menjëhershëm kur ka diçka që ka të bëjë me anën tjetër. Në atë kohë ishim në opozitë dhe thashë, shikoni, kjo mund të duket si një dhuratë e shkëlqyer për mua, mund të dilnim në protesta dhe të shkonim në parlament ta quanim tradhti. Por nuk është kjo që do të bëjmë dhe duhet të bëjmë, por në të njëjtën kohë do ta çojmë në Kushtetuese. Pra e nxorëm nga fusha e dy partive dhe e çuam atje. Tashmë kemi një marrëveshje me qeverinë greke për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje