TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Qershor 2024, 18:49

Ambasada Amerikane nuk ka të “çmendur”, të “çmendur” jemi ne!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

Ambasada Amerikane nuk ka të “çmendur”, të

 Të çmendurit nuk rrinë në zyra, janë në rrugë...

E di, se shumë nga ata që lexojnë këtë titull, përfshi edhe Edi Ramën vetë, do qeshin dhe do të thonë:

-Shkruaj, shkruaj, edhe ti i çmendur je, edhe ata që s’kanë lindur ende, të çmendur do të bëhen.

Kështu i bie të flasim si i çmenduri me të çmendurin, të mos ja lëshojmë rrugën njëri-tjetrit, të qeverisin harbutët 12 vjet e të thonë, është e jona rruga, nuk kemi shkuar as në gjysmë.

Nejse, me gjysmë zëri ju pyesim:

Po ata të sëmurët me kancer malinj që paguan në spitalin onkologjik nga 3000 euro për të vdekur, të “çmendur” ishin, apo u hapën rrugën për pushime në Maldive doktorëve e dokerëve që ngarkojnë e shkarkojnë anijet e dollarëve të narko shtetit?!

Ina Kasimati lajmëroi edhe ministren e shëndetësisë, edhe Edi Ramën se po e blen vdekjen me para borxh tek Onkologjiku.

Kriminelët që e kishin rrjepur e vrarë këtu, nuk dëgjuan dhe Ina e ndjerë shkoi shumë vonë në Paris.

Si Ina, janë me mijëra të vrarë në gjithë spitalet e narko shtetit, apo nuk është kështu?!

Ndoshta vërtetë po shqepemi, duke qepur buzët e skandaleve qeveritare.

Themi kështu, pasi skandali shtyn skandalin e Ilir Beqja shtyn Ilir Baqjen.  

Pikon çatia e bujqësisë, sa Komisioni Europian ka pezulluar grantet për bujqësinë shqiptare nga programi IPARD, e Frida Krifca krihet, digjen 80 000 dollarë në ditë nga inceneratorët që ende nuk kanë lindur, por u bie pika atyre që nuk u lëshojnë rrugën të çmendurve, spërkaten me pështymë ata që kërkojnë transparencë pasurie për Olsi Ramën, Shkëlzen Berishën, Engjëll Agaçin e gjithë agallarët e fshatit, por asnjë i mençur nga fshati ynë nuk doli të kapë kazmën e të hapë varrin për kriminelët.

Edhe njëherë që e kapëm një, i lëshuam rrugën.

E kishim mik. Mik dhe këshilltar të kryeministrit.

I “çmendur” ishte, por me çip.

Nga qoshja e dosjes Rama-McGonigal, shefi i FBI-së i pranoi çmenduritë e veta.

U betua se gjithë detashmenti i ‘peshqve të mëdhenj’ të korrupsionit, është joshur nga Edi Rama me para, biznese, puse nafte e përfitime pa kufizime.

Në vijën që ndan piramidën mes lugës bosh dhe garuzhdës plot, edhe tradhëtia ndaj kombit, nuk qenka ngjyrë e kobshme.

Mjafton që në imtësi të formojmë ndonjë imazh që zbukuron skandalet, si me thënë, sapo vjen i riu, të vdesë i vjetri.

Koha ku mbijnë epokat, ka qokat e veta.

Pikë për pikë, piskama se ambasada amerikane nuk kishte dijeni për krimet e Edi Ramës dhe McGonigal, por as di gjë për skandalet e përditshme, tregon se aty nuk ka të çmendur.

Të çmendurit nuk rrinë në zyra, janë në rrugë.

Shkoni e shihni.

Nuk ka ditë që të mos jenë 200 të “çmendur” edhe pas derës së ambasadës amerikane këtu në Tiranë?

Po ç’bëjnë?

Atë që ka thënë Edi Rama publikisht.

Pasi paguajnë aplikimin, noterin, dokumente e humbje kohe, plus një ditë në Tiranë, që nuk i rrumbullakon poshtë 600 dollarësh humbje, bëhen gati për ndëshkimin tjetër.

Po kush fiton, se në 11 vite janë paisur me viza rreth 200 000 persona.

Po ja, t’i biem shkurt.

Rreth 170 000 janë kriminelë, patronazhistë dhe zyrtarë hajdutë, tashmë të njohur botërisht nga ajo “ajka” e Edi Ramës që në zhgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017 morën lajmin se kualifikimet për viza janë në varësi të formës se si do të votohet.

Nga këta më thoni sa zyrtarë kanë thyer ligjet dhe kanë kërkuar azil atje, apo sa të tjerë nën hetim po ikin?!

Emigracioni i paligjshëm, ishte njëra nga shtyllat e debatit presidencial Joe Biden-Donald Trump para pak orëve, ku edhe Edi Rama e ka zbehur sigurinë kombëtare të Amerikës, si asnjë kriminel tjetër në Botë.

Askush nuk tha, ç’është kjo hata?

Po a nuk e thamë, vetëm të “çmendurit” flasin e flasin, të tjerët vetëm vjedhin e vjedhin.

Pastaj, a nuk ishin dje ca të “çmendur”, përfaqësues të 26 të vrarëve dhe 300 të plagosurve me 15 mars 2008 në Gërdec që “lajthitën”, duke i kërkuar SPAK-ut dhe Ambasadës Amerikane t’i bllokojë udhëtimet në Amerikë Fatmir Mediut, kriminelit nën akuzë edhe për vrasje të ushtarëve amerikan me fishekë kinez në Afganistan?!

Të “çmendurit” këtej, e dinë se Shkëlzen Berisha humbi edhe gjyqin në gjykatën e distriktit të Floridas, ku pretendonte se i kishin shpifur në librin “Armët dhe Çunat” të Guy Lawson si dhe në ekranizimin në filmin “Qentë e Luftës”, ku akuzoheshin me fakte ai dhe Fatmir Mediu me kompani, si të përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh.

E ç’po kërkojnë viktimat?!

Thjeshtë të pengohet të shkojë në Amerikë, pasi atje paguan e presionon dëshmitarët dhe fsheh paratë e krimit.

Si Fatmiri, janë qeveritarët, politikanët, zyrtarët, gjithë milionerët me rroga qesharake në një shtet ku as bëhet milion dollarëshi as ka prodhim e konsum.

Po ç’flasim edhe ne aman?!    

Vetëm të “çmendurit” flasin, të tjerët heshtin, sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Të mos ishte kështu, nuk do të kishim këtë qeverisje të zezë e këtë opozitë po sterrë të zezë.

Pra, me pak fjalë, thyeni ndonjë lajthi në kokë të njëri tjetrit edhe për ca kohë dhe bëjeni bindjen top, se Ambasada Amerikane nuk ka të “çmendur”, por jemi çmëndur ne!/Pamfleti

ambasada amerikane të çmendur

Lini një Përgjigje