
Koha ka treguar, se në çdo përballje gjyqësore e pas tyre, janë vërtetuar provat që ka publikuar “Pamfleti” dhe kështu do ndodhë në çdo proces, duke ua thënë troç e publikisht, se nuk do tërhiqemi nga beteja për të vërtetën dhe të drejtën...
Beteja e “Pamfletit”-it kundër korrupsionit e krimit brenda dhe jashtë qeverisë, politikës, klaneve të tyre oligarkiko-mafioze, shpesh ka përfunduar në prokurori e gjykatë, ku autorët e krimeve padisin autorët e shkrimeve, por vërsulin dhe banda dhune fizike mbas shpine, siç sulmuan editorin Gjergj Zefi në hyrje zyrave të redaksisë.
Në çdo përballje gjyqësore, “Pamfleti” ka fituar, sepse ka publikuar prova konkrete me dëshmi, video, dokumente e me bazë ligjore, siç ka vepruar dhe për përballjet që ka në proces, në disa prej të cilave paditësit nuk po guxojnë të paraqiten.
Të vërtetat që ka publikuar “Pamfleti”, u konfirmuan dhe në rastin e Kristian Gjokë Boçit, të cilit, prokuroria i sekuestroi 50 milionë Euro pasuri, mes tyre aksionet në 14 biznese, që janë me burime nga trafiku i drogës, pastrimit të parave, kontrabandës e aktivitete të tjera të paligjshme.
Në vitet 2019- 2022, ne publikuam faktet që deklaroi prokuroria, se Kristian Boçi, me pagë mujore 35 mijë lekë dhe me 3 emra, ka qenë i dënuar me burg në Belgjikë e kërkohet nga drejtësia greke për trafikim droge në grup të strukturuar dhe ka pasuri të paligjshme me miliona Euro.
Qysh para tre vitesh, “Pamfleti” ka denoncuar faktin që konfirmoi prokuroria më 29 qershor 2024, se Kristian Boçi ka blerë vilë 900 mijë Euro, 4 apartamente nga 380 mijë Euro, lokale e 4 garazhde te komplekset “Kodra e Diellit” dhe toka, troje e 3 makina luksoze.
Ne kemi denoncuar faktin dhe doli e vërtetë, që Kristian Boçi ka blerë fiktivisht me vlerë 1.2 milionë Euro, dyqanin e veshjeve të nuseve “Altar” nga çifti trafikantëve Ervin Mata e Elvana Gjata, të cilin e ka regjistruar në emrin e gruas, Drilona Boçi.
Ne thamë, që Kristian Boçi, bëri dasmë luksoze 730 mijë Euro te hotel “Plazza”, ndërsa emrin e aktivitetit të drogës “Agustin Boçi”, ai nuk e përmend më, pasi u skedua në listën e OFL për pasuri me burim trafiqet dhe pastrimin e parave, por u hoq nga lista me urdhër të Bablokut.
Në kemi thënë, që dy emrat “Kristian Boçi” e “Kristian Botsis”, i ka përdorur nëpër banka si kredimarrës e dorëzanë për bosë të mafies, nëpërmjet firmave të tij “Mak-08”, “Margus” e “Certification Service Albania”.
Urdhri i sekuestros, vërtetoi denoncimet që ka bërë “Pamfleti”, se “sheiku” Kristian Boçi me pagë mujore 35 mijë lekë, ka aktivitet biznesi e pastrimi parash, me shtetasin belgo-shqiptar Elman Abule, pronar i firmës “Rametal” e “Fidalba”, të dy të dënuar në Belgjikë për trafik droge.
Ne kemi thënë, që dy trafikantët Kristian Boçi e Elman Abule, më 6 mars 2020 kanë marrë 1 milionë Euro kredi te “Banka e Parë Investimeve”, duke vënë kolateral kapitalet e firmave “Mak-08” e “Rametal”, për gjoja investim te HEC “Zall-Xhuxhë” në Fan-Mirditë.
Sekuestrimi pasuror i trafikantit Kristian Boçi, që prej vitesh jeton në luks dhe është vetë-shpallur “VIP” e “Bamirës”, ka dhënë sinjalin paralajmërues e të pritshëm, se ata që humbasin gjyqet me “Pamfleti”-n, ose që na padisin për të na frikësuar, duhet të bëhen gati për përballje me drejtësinë, me këtë fund: do shkojnë në burg, ose do tu sekuestrohen pasuritë që kanë vënë me trafik kokaine, korrupsion, kontrabandë e pastrim parash.
Sepse faktet kanë treguar, që në çdo përballje gjyqësore e pas tyre, janë vërtetuar provat që kemi publikuar dhe kështu do ndodhë në çdo proces, duke ua thënë troç e publikisht, se nuk do tërhiqemi nga beteja për të vërtetën dhe të drejtën./Pamfleti
Lini një Përgjigje