Komisioni “Xhafaj” nëse vërtet do të luftojë korrupsionin, të ndryshojë ligjin dhe të lejojë SPAK të hetojë vetëm ministra, deputetë, presidentë apo kryeministra...
Aleatët duket se kanë kapur ngushtë mazhorancën. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj ngritën një komision, i cili sipas tyre, do të përdoret për të shfarosur njëherë e mirë korrupsionin. Ende nuk e dimë se si një komision me disa deputetë do luftojë aferat, por duke qendruar këtu, sot ka ardhur një raport mjaft interesant nga OSBE.
Ata kanë kryer monitorimin e drejtësisë për 3 vite e fundit në vendet e rajonit, me fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta.
Sa i takon Shqipërisë, OSBE ka ngritur si problematikë se SPAK dhe GJKKO janë mbingarkuar dhe merren me çështje të ulëta. OSBE propozon që të bëhen ndryshime ligjore dhe SPAK të ketë fokus korrupsionin në nivelet më të larta, pra atë politik.
Pra kjo është sfida ndaj Ramës. Komisioni “Xhafaj” nëse vërtet do të luftojë korrupsionin, të bëjë këtë gjë. Të ndryshojë ligjin dhe të lejojë SPAK të hetojë vetëm ministra, deputetë, presidentë apo kryeministra. Sipas OSBE duhet të rritet shumë më tepër pragu i vlerës abuzuese. Aktualisht SPAK heton çdo zyrtar që ka përfituar mbi 500 mijë lekë nga korrupsioni. Pra shifër absurde.
“Ligji duhet të ndryshojë për të rritur pragun e vlerave financiare të hetuara nga SPAK dhe GJKKO. Gjatë konsultimeve, gjyqtarët propozuan që llogaria të bëhet mbi bazën e pagës minimale”, thekson OSBE.
Një tjetër element sipas saj që po lodh SPAK dhe GJKKO janë paditë për shpifje që deputetët bëjnë ndaj njëri-tjetrit. Sipas saj, edhe kjo duhet të hiqet si kompetencë. Po ashtu kërkon të mos zvarriten hetimet dhe gjyqet, por të mbyllen sa më shpejt.
“Përveç kësaj, gjykatat e specializuara trajtojnë një numër të madh rastesh të "shpifjes" (neni 120 i KP) dhe “fyerjes” (neni 119 i KP) kundër zyrtarë të lartë. Gjatë konsultimeve me ekipin e projektit, gjyqtarët dhe prokurorët pranuan një rritje të ngarkesës së punës që kërkon përpjekje shtesë për t'u marrë me këto raste”, thekson raporti.
Sipas OSBE, duke qenë se SPAK heton dhe korrupsionin e zyrtarëve të nivelit të ulët, manipulohen shifrat e statistikave. Sipas tyre, duhet që të ketë një bilanc vetëm për nivelet më të larta dhe nuk mundet që prokuroria të flasë për arritje të mëdha, duke futur te shifrat e saj dhe korrupsionin e nivelit të ulët.
Pra duket se kjo është sfida për qeverinë. Nëse Rama e Xhafaj vërtet duan të godasin korrupsionin, të lënë prokurorët të hetojnë politikën dhe kjo mjafton. /Pamfleti
Lini një Përgjigje