Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, i cili ka denoncuar se persona të paidentifikuar kanë vjedhur një hard disc me materiale në zyrën e PL.
Meta thotë se i është vjedhur një hard disc me materiale në selinë e Partisë së Lirisë.
Në kallëzimin e Metës, thuhet se disa persona janë futur natën në zyrën e partisë që ai drejton dhe kënë vjedhur hard disc dhe e kanë zëvendësuar atë me një tjetër. Sipas kallëzimit të tij, janë vjedhur të gjitha komunikimet elektronike.
Ndërkohë deputeti i PL-së Petrit Vasili tregon se këta persona kanë grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një pajisje DVR (hard disk) dhe kanë lidhur, dëmtuar dhe prerë në mënyrë të fshehtë linjat e kabllove. Ai akuzon qeverinë për këtë akt, teksa shkruan se asnjë presion nuk ndikon në përballjen me Ramën.
Kujtojmë se kreu i kësaj partie ndodhet nën hetim nga SPAK.
"Partia e Lirisë është përballur me një ngjarje të tipit mafioz, karakteristikë e “Rilindjes”, e cila kërkon Qeverinë vetëm me shantazh dhe presion.
Persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar kanë hyrë në zyrat e saj në mes të natës, duke grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një pajisje DVR (hard disk), si dhe duke lidhur, dëmtuar dhe thyer linjat e kabllove në mënyrë të fshehtë.
Partia e Lirisë, në zbatim të ligjit, ka depozituar denoncimin për këtë ngjarje në Prokurorinë e Tiranës për hetimin dhe identifikimin e autorëve.
As kjo përpjekje dhe asnjë presion nuk mund të ulë ritmin dhe vendosmërinë e Partisë së Lirisë për t'u përballur me "Rilindjen" dhe masat e saj, por përkundrazi ajo shumëfishon energjitë e saj në betejën për përmbysjen e narkoqeverisjes rilindase", tha Vasili në reagimin e tij.
Lini një Përgjigje