TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Prill 2023, 13:21

Akuzat se ka qenë i dënuar në Greqi, Partia e Lirisë kërkesë në KQZ: Çregjistroni nga zgjedhjet kandidatin e PS për bashkinë e Kuçovës!

Shkruar nga Pamfleti

Akuzat se ka qenë i dënuar në Greqi, Partia e Lirisë

Partia e Lirisë ka depozituar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve  kërkesën për ndalimin e kandidimit të Kreshnik Hajdarit kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Kuçovës.

Kjo kërkesë e  Partisë së Lirisë dhe koalicionit Meta-Berisha vjen pas daljes në media të një dënimi që Kreshnik Hajdari ka marrë në Greqi dhe nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Në kërkesën e Partisë së Lirisë thuhet se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë numër 17/2016 përcakton qartë këto kritere dhe Partia e Lirisë kërkon që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të bëjë verifikimet e nevojshme dhe të ndalojë kandidimin e Kreshnik Hajdarit.  

Kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar me gjobë nga drejtësia greke për kalim të paligjshëm të kufirit në vitin 1999.

Hajdari, mesa duket gjatë momenteve të vështira që po kalonte vendin, si shumë shqiptarë të tjerë ka tentuar të emigrojë ilegalisht në Greqi, por është kapur dhe dënuar nga gjykata në Janinë, në atë kohë së bashku me 18 persona të tjerë.

Mirëpo kur erdhi dita që ai të kthehej në atdhe, dhe të bëhej kryebashkiak i Partisë Socialiste për Kuçovën, rezulton se Hajdari nuk e ka deklaruar dënimin në Greqi.

Sipas dokumentit të mëposhtëm të publikuar nga “Ora News”, vendimin për dënimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, është dhënë në vitin 1999 nga gjyqtari i vetëm i gjykatës penale të Janinës, Nicolaos Raptis. Gjyqtari e ka gjetur fajtor dhe dënuar Hajdarin me 1500 Dhrahmi.

Telashet për Hajdarin nuk përfundojnë me kaq, pasi ai akuzohet nga banorët e fshatit Lumas se në bashkëpunim me bizesmenin Salillari kanë shkatërruar kanionin e Sinecit duke kryer punime dhe duke devijuar rrjedhën e ujit. Në SPAK për këtë çështje është kallëzuar kryeinspektori i IKMT Albert Zybeja.

Ndërsa kryebashkiaku Hajdari mund të humbasë tashmë mundësinë për të rikandiduar në Kuçovë, pasi pyetjes në formularin e vetëdeklarimit se nëse është dënuar në Shqipëri apo jashtë shtetit i është përgjigjur me “JO”.

 

Lini një Përgjigje