
Një ditë pas urdhrit të SPAK, brenda pallatit ku banon ish-kryeministri Sali Berisha, janë parë forca policie për kontrolle.
Në pamjet e publikuara në media, pranë shtëpisë së Berishës ndodhet një patrullë e forcave policiore "Shqiponja".
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, është arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Rinasit, ndërsa gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e parave të tij tanimë.
Prokuror i çështjes për të cilën është ndalur Malltezi është ish-kreu i SPAK, Arben Kraja.
Dhëndri i ish-kryedemokratit është vënë në pranga në kuadër të hetimeve mbi privatizimin e kompleksit “Partizani”.
Pas dhëndrit Berishës është arrestuar edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, bashkëpronar me Malltezin te kompleksi “Partizani”, ndërsa për ish-kryeministrin Berisha është lënë masa “detyrim paraqitje”.
Mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 të së shtunës, Drejtori i Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, i shoqëruar nga një oficer ngjitën shkallët e selisë së PD-së për t’i komunikuar masën “detyrim paraqitje” dhe bllokimin e pasaportës, Sali Berishës.
Ata qëndruan aty për rreth 60 minuta, por pa mundur t’ia komunikojnë vendimin e gjykatës, ish-kryeministrit.
Sali Berisha bëri të ditur për mediat se nuk pranoi t’i takonte oficerët e policisë. Ai shpjegoi se vendimi i gjykatës ndaj tij është në shkelje të Kushtetutës, pasi nuk mund t’i kufizohet liria një deputeti, pa vendimin e Parlamentit.
Lini një Përgjigje