
Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë...
Ambasada amerikane ka lëshuar një mesazh për politikën shqiptare, duke kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 14 maj. Të dielën qytetarët do të votojnë për pushtetin vendor dhe ambasada shprehet se pret një proces të ndershëm dhe me standarde.
Sipas saj, në terren do të jenë shumë vëzhgues të ambasadës dhe ata do të monitorojnë me kujdes procesin zgjedhor. Ambasada shprehet se u takon qytetarëve të vendosin se kë do të kenë drejtues të pushtetit vendor.
“Të dielën, qytetarët shqiptarë do të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike më themelore – të votojnë për udhëheqësit dhe të ardhmen e tyre. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve. Siç kemi bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të shkuar, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të fortë”, shprehet ambasada.
Reagimi i ambasadës vjen në një moment kur klima politike është tensionuar. Arrestimi i Fredi Belerit ka ngjallur shumë reagime, pasi opozita e cilëson si hakmarrje të qeverisë. Nga ana e saj prokuroria pretendon se ka prova se ai po blinte vota. Ndërkohë po ashtu ka pasur dhe raste të tjera ku janë shpërndarë para dhe ushqime për blerje votash. Si duket edhe pse jemi 32 vite në demokraci, tradita e blerjes së votave vijon.
Lini një Përgjigje