
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka bërë thirrje kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Zef Hilës, për bashkinë e Vaut të Dejës që të mos tentojë të shpërndajë para për blerjen e votave pasi tashmë është shumë vonë.
Gjatë fjalës së tij në një takim me qytetarët në këtë bashki, Rama ka paralajmëruar Hilën duke i thënë që të mos marrë në qafë njerëzit me blerje votash, pasi raste të tilla nuk do të tolerohen.
“Zef mos i merr në qafë njerëzit duke shpërndarë para për vota se është shumë vonë. Më beso mua, unë e di se ti nuk e bën këtë por mos lejo të tjerët të bëjnë kështu se po kapen shumë. Këta është e bukur se kur kapen thonë “po na vjedhin votat”. Zef është kryer kjo punë Kristjani do marrë stafetën. Ne nuk vijmë këtu për të thënë këtu hajdeni të gjithë e bëhuni socialist. Ne kur marrim drejtimin e një bashkie, nuk i ndajmë njerëzit për ne nuk ka majtas djathtas por drejt vetëm përpara për të majtët dhe të djathtët”, tha Rama.
Kujtojmë se pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për bashkinë e Himarës Fredi Belerit, i cili u arrestua pasi akuzohet se po shpërndante para për blerjen e votave, një tjetër tentavivë për blerje votash u bë në Shkodër, ku dy punonjës të bashkisë u kapën me 50 qese me ushqime të ndryshme në tentativë për t’i shpërndarë.
Lini një Përgjigje