
Ilir Meta po lutet të ketë fatin e Berishës, madje mund të jetë i gatshëm që jo dy herë, por edhe 4 herë në muaj të paraqitet në SPAK. Nuk dihet se kur Gjykata e Lartë mund të marrë një vendim për masën e sigurisë ndaj Metës, por ajo që do të pretendohet nga avokatët e tij do të jetë të përdoret i njëjti standard si ai që thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO-së
Ilir Meta, Presidenti i Partisë së Lirisë, i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kundërshtuar masën e sigurisë “arrest me burg” që është vendosur nga GJKKO në dy shkallët e seancave të vlerësimit. Rekursi është depozituar dje dhe me shumë gjasë Gjykata e Lartë do e trajtojë me prioritet çështjen.
Pak a shumë Meta ndodhet në të njëjtat kushte si Sali Berisha, me ndryshimin e vetëm se ish-Kryeministri për shkak të moshës iu caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa ish-Presidenti ndodhet në qeli prej gati 3 muajsh..
Avokati i Metës, Genc Gjokutaj, pothuajse ka përdorur të njëjtat argumente si në rastin e Berishës ashtu edhe për kreun e PL-së, lidhur me arsyet sepse duhet ndryshuar masat e sigurisë.
“Ai është presidenti i PL-së. Arrestimi i tij është bërë pikërisht për këtë shkak. Meta ka dhënë shpjegime të hollësishme, ka zgjedhur përballjen nëpërmjet shpjegimet, jo shmangien nga hetimi. E kemi ngritur këtë argument, kjo çështje pse është bërë në prag të fushatës në mungesë të provave. Meta nuk helmon provat dhe as dëshmitarët nuk intimidon, as kallëzuesit. Kallëzuesit janë pa 1 ditë shkollë, nuk është marrë në këtë histori. S’ka asnjë kriter për të qëndruar në masën e arrestit me burg kur është lideri i dytë i opozitës dhe në prag të fushatës zgjedhore”, theksoi Gjokutaj një ditë më parë.
Por a do të ketë Meta fatin e Berishës që gjatë rrugës t’i ndryshohet masa e sigurisë me afrimin e datës së zgjedhjeve?
“Arma” që mund të shfrytëzohet është vendimi i Apelit të GJKKO-së në rastin e Sali Berishës, ku pavarësisht se SPAK kërkonte rikthimin e arrestit, u vendos detyrimi për paraqitje, duke kujtuar se është kryetar i një partie opozitare, ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve.
“Në këtë drejtim, gjykata mban në konsideratë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin nr. 399, datë 05.12.2024, ka dekretuar datën 11 Maj 2025, si datë të zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin (shih Fletoren Zyrtare nr. 206, datë 10.12.2024). Sikurse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar në vendimin e saj nr. 81, datë 19.11.2024, kërkuesi është kryetar i partisë kryesore opozitare”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Apelit të GJKKO-së.
Nisur nga kjo, Ilir Meta si kryetar i një tjetër partie, pavarësisht peshës elektorale që mund të ketë në 11 maj, por që sot renditet si forca e dytë më e madhe në opozitë, mund të pretendojë lirimin nga qelia.
Dhe kjo, pavarësisht se nuk theksohet shumë, po përdoret si argument edhe në deklarimet publike nga mbrojtësit ligjorë të Ilir Metës. Ky i fundit deri më tani ka marrë një garanci nga PD e Berishës se do e ketë emrin në listën e sigurtë të kandidatëve për deputetë, me shumë gjasa do të jetë ndër 3 emrat e parë në Tiranë, por ajo që i intereson më së shumti është të shpëtojë nga izolimi duke shfrytëzuar pikërisht zgjedhjet.
Në këtë kuadër duket se Ilir Meta po lutet të ketë fatin e Berishës, madje mund të jetë i gatshëm që jo dy herë, por edhe 4 herë në muaj të paraqitet në SPAK. Nuk dihet se kur Gjykata e Lartë mund të marrë një vendim për masën e sigurisë ndaj Metës, por ajo që do të pretendohet nga avokatët e tij do të jetë të përdoret i njëjti standard si ai që thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO-së, pavarësisht se gjyqtari që e artikuloi vendimin u sulmua mbi dhe nën brez nga aleatët më të afërt të ish-Presidentit.
Zgjedhjet dhe fakti se Meta ka vulën e një prej partive opozitare janë një mundësi e artë, që qoftë edhe përkohësisht ish-Presidenti i arrestuar për korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, të lerë qelinë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje