
Filmi i njohur shqiptar “Mimoza Llastica” do t’i nënshtrohet një procesi restaurimi, në kuadër të një nisme të re për ruajtjen dhe shpëtimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, i cili njoftoi se sipërmarrësja Teuta Doci do të financojë restaurimin e filmit, ku ajo vetë ka qenë edhe pjesë e kastit si aktore.
Ky projekt shënon rastin e parë të nismës “Adopto një film për restaurim”, e cila synon të përfshijë individë, sipërmarrës dhe dashamirës të kinemasë në procesin e rikthimit në jetë të filmave të vjetër shqiptarë.
“Shumë i lumtur që sipërmarrësja Teuta Doci do të restaurojë filmin ‘Mimoza Llastica’, film ku ajo luan edhe vetë. Shumë shpejt do ju tregojmë fragmente nga filmi i restauruar, e po ashtu do të kemi edhe premierën e tij”, u shpreh Tanini.
Sipas tij, nisma është e hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në ruajtjen e filmit shqiptar, duke përfshirë edhe projekte të tjera, përfshirë filmat e animuar.
“Çdokush që e do kinemanë shqiptare mund të kontribuojë për të shpëtuar dhe restauruar një film”, thuhet në njoftim.
Në përfundim, Tanini falënderoi Docin për kontributin dhe bëri të ditur se shumë shpejt pritet premiera e versionit të restauruar të filmit, i cili do të rikthejë emocionet e një epoke të rëndësishme të kinemasë shqiptare.

Lini një Përgjigje