Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Kledi Kadiu sjell në Shqipëri edicionin e parë të “International Ballet Competition Albania”, një ngjarje me përmasa ndërkombëtare që do të zhvillohet më 4 dhe 5 dhjetor 2026 në Tiranë.
Ky projekt synon të shndërrohet në një pikë referimi për artin e kërcimit në rajon dhe më gjerë, duke mbledhur talente të reja nga vende të ndryshme të botës dhe duke e pozicionuar Shqipërinë në hartën e eventeve prestigjioze të baletit.
Aktiviteti do të shtrihet në dy ditë. Më 4 dhjetor do të organizohet një workshop pranë Shkollës Kombëtare të Baletit, ndërsa më 5 dhjetor do të mbahet konkursi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të performojnë përpara një publiku dhe jurie ndërkombëtare.
Një ndër pikat më të forta të këtij eventi është përfshirja në juri e një trupe pedagogësh të nivelit të lartë, ku bëjnë pjesë emra të njohur të skenës së baletit si Frédéric Olivieri, Paola Vismara dhe Michele Merola.
“International Ballet Competition Albania” vjen si një nismë afatgjatë, me synimin për të krijuar një platformë të qëndrueshme për zhvillimin e talenteve të rinj, si dhe për të nxitur shkëmbimet artistike ndërkombëtare.
Realizimi i këtij eventi mbështetet nga institucione kyçe si Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Shkolla Kombëtare e Baletit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke dëshmuar një bashkëpunim të rëndësishëm në funksion të zhvillimit të artit dhe kulturës në vend.
Lini një Përgjigje