
Figura e njohur e muzikës qytetare tiranase, Muharrem Gurra, do të nderohet përmes një koncerti premierë që do të mbahet në dy mbrëmje radhazi: më 10 dhe 11 prill, në orën 20:00.
I titulluar “Kur dy zemra dashurohen”, koncerti vjen si një homazh për një nga emrat më të spikatur të traditës muzikore të Tiranës, i cili me violinën dhe krijimtarinë e tij i dha jetë dhe ndjeshmëri këngës qytetare.
Muharrem Gurra kujtohet si një artist që nuk interpretonte thjesht muzikë, por përcillte shpirtin dhe identitetin e qytetit. Me stilin e tij të veçantë dhe finesën artistike, ai la pas një trashëgimi të rëndësishme që vazhdon të jetë pjesë e kulturës shqiptare.
Koncerti realizohet në bashkëpunim mes familjes së artistit dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, duke sjellë në skenë një ndërthurje të traditës autentike me interpretimin bashkëkohor.
Në këtë mbrëmje do të performojnë artistë të njohur të muzikës shqiptare si Merita Halili, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani dhe Artan Bakija, si edhe pianistja Elvina Gurra.
Regjia mban firmën e Ada Gurra, ndërsa skenografia është realizuar nga Ergys Krisiko.
Ky koncert pritet të jetë më shumë se një shfaqje muzikore, një rikthim emocional te rrënjët dhe te tingujt që kanë shoqëruar ndër vite shpirtin e Tiranës.
Lini një Përgjigje