TAGS-AT E JAVËS

Kulture26 Mars 2026, 20:49

Qeveria shpall fshatin Lin pasuri kulturore, miratohet mbrojtja si ansambël arkitektonik

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria shpall fshatin Lin pasuri kulturore, miratohet mbrojtja si ansambël
Lini

Qeveria ka shpallur një zonë në fshatin Lin si pasuri kulturore të paluajtshme, duke e klasifikuar atë si “Ansambël arkitektonik urban”, në një vendim të miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Vendimi përcakton edhe zonën mbrojtëse të këtij ansambli, bazuar në hartat dhe koordinatat e përfshira në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare, si dhe miraton planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj pasurie.

Sipas dokumentit, shpallja synon mbrojtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të zonës, duke vendosur rregulla të qarta për ndërhyrjet dhe zhvillimin në territor.

Në zbatim të këtij vendimi, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor do të publikojë hartat përkatëse në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin sipas legjislacionit në fuqi.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar disa institucione, përfshirë Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Bashkinë Pogradec.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugë një faze të re për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore në këtë zonë të njohur turistike.

 

Lini një Përgjigje