TAGS-AT E JAVËS

Kulture25 Mars 2026, 08:15

I konsideruar si “martir i gjallë”, Kardinali Simoni para eshtrave të Shën Françeskut: Lutem për paqe dhe vëllazëri

Shkruar nga Pamfleti
I konsideruar si “martir i gjallë”, Kardinali Simoni para
Kardinali Simoni

Kardinali Ernest Simoni, 97 vjeç, mundi të lutej para eshtrave të Shën Françeskut, të kremtonte Meshën në Protomanastirin e Shën Klerës dhe të lutej para varrit të saj…

Kardinali shqiptar Ernest Simoni, në moshën 97-vjeçare, ishte ndër personat e fundit që nderuan eshtrat e Shën Françeskut të Assisit, përpara rikthimit të tyre në varrin në kriptën e Bazilikës së Shën Françeskut në Assisi, Itali.

Skeleti i vogël i shenjtorit ruhet aty që prej vitit 1978 në një kuti pleksiglasi të mbushur me azot.

Eshtrat e Shën Françeskut u ekspozuan në kishë nga 22 shkurti deri më 22 mars, përpara se të riktheheshin në varrin prej guri në kriptë, i vendosur në këmbët e altarit në kishën e poshtme.

Në kushte normale, këto relike nuk janë të dukshme për publikun. Pelegrinët mund të vizitojnë dhe të luten pranë varrit, por skeleti mbetet i mbyllur brenda sarkofagut, i mbrojtur në mënyrë të veçantë brenda kutisë së pleksiglasit, shkruan gazetarja Victoria Cardiel.

Sipas Bazilikës së Shën Françeskut në Assisi, më shumë se 370 mijë pelegrinë nga e gjithë bota patën mundësinë të luteshin përpara eshtrave gjatë këtij muaji.

Kardinali Simoni, i cili ka studiuar në një seminar françeskan nga viti 1938 deri në 1948, është përshkruar nga Papa Françesku si “një martir i gjallë” i persekutimit të ashpër komunist në Shqipëri gjatë regjimit të diktatorit Enver Hoxha.

Në një deklaratë të cituar nga Vatican News, ai u shpreh: “falënderoj Zotin që më dha mundësinë të jem pelegrin në Assisi dhe të lutem për paqe dhe vëllazëri në botë përpara mbetjeve të Shën Françeskut të madh për mua një mbrojtës, një atë dhe një mësues, të cilin gjithmonë e kam admiruar nga Shqipëria ime e dashur.”

I konsideruar si “martir i gjallë”, Kardinali Simoni para

Kardinali, i cili do të festojë 70-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak më 7 prill, e përshkroi këtë përvojë si “prekëse”, duke theksuar praninë e mijëra pelegrinëve të të gjitha moshave, si dhe të shumë të rinjve që, sipas tij, përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e Kishës. Ai vuri në dukje se ata vinin nga e gjithë bota në këtë qytet, që konsiderohet simbol i paqes dhe fesë, për t’u lutur dhe për t’u takuar shpirtërisht me Shën Françeskun, dishepullen e tij të madhe Shën Klarën dhe Shën Karlo Akutisin, një shenjt i kohëve tona.

Simoni u shugurua meshtar në fshehtësi në vitin 1956, 12 vjet pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, dhe përjetoi personalisht persekutimin e tij. Ai u arrestua në vitin 1963 dhe u dënua me vdekje, por dënimi iu kthye në punë të detyruar. Kaloi 18 vite në burg dhe u lirua në vitin 1981. Megjithatë, duke u konsideruar ende “armik i popullit”, ai u detyrua të punonte në pastrimin e kanalizimeve në qytetin e Shkodrës. Shërbesën meshtarake e vazhdoi në mënyrë të fshehtë deri në rrëzimin e regjimit komunist në vitin 1990.

Gjatë burgosjes, ai kremtonte meshë çdo ditë, duke përdorur mënyra të zgjuara për të shmangur kontrollin e autoriteteve në Shqipërinë e shpallur zyrtarisht shtet ateist, ku çdo praktikë fetare ishte e ndaluar. Ai e kremtonte meshën në latinisht, ndërsa rojet e burgut mendonin se ai po shqiptonte fjalë pa kuptim. Dëshmia e tij preku Papa Françeskun gjatë vizitës në Shqipëri në vitin 2014, dhe dy vite më vonë ai u emërua kardinal.

I konsideruar si “martir i gjallë”, Kardinali Simoni para

Pavarësisht vështirësive në lëvizje, Simoni nuk dëshironte të humbiste këtë mundësi të veçantë për të nderuar reliket e Shën Françeskut, veçanërisht në vitin që shënon 800-vjetorin e vdekjes së shenjtorit. Ai theksoi se ky ishte një nga pelegrinazhet e para që ka ndërmarrë në jetën e tij.

Simoni ishte vetëm 10 vjeç kur për herë të parë hyri në kuvendin françeskan në Shkodër, duke marrë emrin Fra Enrico dhe duke ndjekur dëshirën për të jetuar në varfëri sipas shembullit të Shën Françeskut. Gjatë regjimit komunist, formatorët dhe eprorët e tij françeskanë u pushkatuan, të akuzuar si armiq të popullit, shpeshherë përpara syve të novicëve të rinj.

Gjatë qëndrimit në Assisi, kardinali kremtoi meshë në Protomonastirin e Shën Klarës, u lut pranë varrit të saj dhe u takua me murgeshat e manastirit klauzur.

Gjatë katër javëve të ekspozimit të trupit të Shën Françeskut, grupe të vogla pelegrinësh kalonin nën afresket e Giotto-s dhe Cimabue-s, në një atmosferë të qetë dhe me ndriçim të zbehtë, për të nderuar reliket.

“Ne kemi qenë një vëllazëri e mbledhur rreth Françeskut,” deklaroi fra Marco Moroni, kujdestar i Konventës së Shenjtë. “Një vëllazëri prej 370 mijë personash të mbledhur këtu, dhe shumë të tjerë në mbarë botën. Një vëllazëri e qetë dhe lutëse, që kërkoi të zbulojë në shenjën e disa eshtrave të varfra dhe të brishta, fuqinë e plotë të një jete të frymëzuar nga Shpirti, që vazhdon të japë fryte.”

I konsideruar si “martir i gjallë”, Kardinali Simoni para

Ndërsa fra Giulio Cesareo, drejtor i zyrës së komunikimit të Konventës së Shenjtë, theksoi: “Shumë më kanë pyetur nëse e prisja një pjesëmarrje kaq të madhe dhe duhet të them se po. Nuk kisha dyshim se do të ishim të shumtë. Por ajo që nuk prisja ishte atmosfera — njëkohësisht e përqendruar dhe e gëzueshme: heshtje, durim, telefonat në xhepa.”

Ai shtoi se përvoja tregoi se pelegrinët nuk kishin ardhur thjesht për të parë reliket, por sepse, sipas tij, “Françesku, duke qenë i gjallë shpirtërisht, i ka thirrur për të folur në zemrat dhe mendjet e tyre”. Cesareo falënderoi gjithashtu gazetarët dhe profesionistët e komunikimit për bashkëpunimin dhe profesionalizmin, duke theksuar se puna e tyre transparente dhe e organizuar ishte një nga faktorët kyç të suksesit të kësaj ngjarjeje.

kardinali simoni mesazhi paqe

Lini një Përgjigje