Finalja e madhe e Eurovizionit 2026 ka startuar në orën 21:00 në arenën “Wiener Stadthalle” në Vjenë, ku 25 shtete do të konkurrojnë për trofeun e edicionit të 70-të të festivalit europian të këngës. Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis me këngën “Nân”, ndërsa artisti shqiptar do të ngjitet i pesti në skenë.
Organizatorët kanë parashikuar një spektakël të zgjeruar për 70-vjetorin e festivalit, me performanca nga artistë fitues të viteve të kaluara dhe segmente speciale kushtuar historisë së Eurovizionit.
Përfaqësuesi shqiptar synon mbështetje të lartë nga diaspora, ndërsa votimi për Shqipërinë realizohet me kodin 05. Sistemi i votimit lejon deri në 10 vota për person dhe përfshin edhe publikun nga shtetet jo-finaliste. Për publikun jashtë vendeve pjesëmarrëse, votimi mund të kryhet edhe online përmes platformës zyrtare të festivalit.
Në renditjen e performancave të finales, Shqipëria vjen pas Belgjikës dhe para Greqisë. Mes vendeve favorite që do të ngjiten në skenë gjatë natës janë edhe Italia, Suedia, Franca dhe Austria, e cila mbyll garën si vend organizator.
Spektakël për 70-vjetorin jubilar
Finalja e Eurovizionit 2026 nuk do të jetë vetëm një garë muzikore mes 25 shteteve finaliste, por edhe një mbrëmje dedikuar 70 viteve histori të festivalit europian të këngës. Organizatorët kanë përgatitur një program festiv me performanca speciale dhe rikthim të disa prej emrave më të njohur të skenës së Eurovizionit.
Hapja e spektaklit do të nisë me një performancë të JJ, fituesit austriak të vitit 2025 me këngën “Wasted Love”. Skenografia parashikon udhëtimin simbolik të “varkës prej letre” përgjatë Danubit deri në arenën e Vjenës, ndërsa artisti do të interpretojë “Mbretëresha e Natës”, i shoqëruar nga dhjetëra kërcimtarë dhe akrobatë. Pas performancës së hapjes, finalistët do të prezantohen në Paradën tradicionale të Flamujve.
Gjatë intervalit të votimit, në skenë do të rikthehen artistë që kanë lënë gjurmë në historinë e Eurovizionit. Mes tyre janë Lordi, Verka Serduchka, Alexander Rybak dhe Ruslana, të cilët do të interpretojnë disa prej këngëve më të njohura të festivalit ndër vite.
Programi i mbrëmjes do të mbyllet me performanca nga Parov Stelar dhe César Sampson, i cili do të sjellë në skenë një interpretim të këngës “Vienna” të Billy Joel.
Renditja e performancave në Finalen e Madhe
Për ata që do të ndjekin me vëmendje garën nga fillimi në fund, ja si paraqitet radha e ngjitjes në skenë e 25 finalistëve:
Danimarka: Søren Torpegaard Lund – Før Vi Går Hjem
Gjermania: Sarah Engels – Fire
Izraeli: Noam Bettan – Michelle
Belgjika: ESSYLA – Dancing on the Ice
Shqipëria: Alis – Nân
Greqia: Akylas – Ferto
Ukraina: LELÉKA – Ridnym
Australia: Delta Goodrem – Eclipse
Serbia: LAVINA – Kraj Mene
Malta: AIDAN – Bella
Çeki: Daniel Zizka – CROSSROADS
Bullgaria: DARA – Bangaranga
Kroacia: LELEK – Andromeda
Mbretëria e Bashkuar: LOOK MUM NO COMPUTER – Eins, Zwei, Drei
Franca: Monroe – Regarde !
Moldavia: Satoshi – Viva, Moldova!
Finlanda: Linda Lampenius x Pete Parkkonen – Liekinheitin
Polonia: ALICJA – Pray
Lituania: Lion Ceccah – Sólo Quiero Más
Suedi: FELICIA – My System
Qipro: Antigoni – JALLA
Italia: Sal Da Vinci – Per Sempre Sì
Norvegjia: JONAS LOVV – YA YA YA
Rumania: Alexandra Căpitănescu – Choke Me
Austria: COSMÓ – Tanzschein
Lini një Përgjigje