Konkursi që u krijua për të promovuar harmoninë europiane dhe shkëmbimin kulturor po përballet sot me bojkotin më të madh në historinë e tij. Megjithatë, polemikat nuk janë diçka e re për Eurovisionin.
Një garë muzikore e menduar për të bashkuar Europën është kthyer në një debat të ashpër mbi të drejtat e njeriut, luftën dhe politikën ndërkombëtare. Bojkoti dominon titujt e mediave, ndërsa artistët vazhdojnë të mbrojnë idenë se arti duhet të qëndrojë mbi politikën.
Mund të duket si situata e këtij viti, por një përplasje e ngjashme ndodhi që në vitin 1969. Atëherë Austria refuzoi të merrte pjesë në Eurovisionin e zhvilluar në Spanjë, për shkak të regjimit diktatorial të Francisco Francos. Mbi pesë dekada më vonë, disa shtete po bojkotojnë edicionin në Vjenë për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, ndërsa lufta në Gaza vazhdon.
Siç këndonte ABBA në “Waterloo”, kënga fituese e vitit 1974: “Historia përsëritet”.
Megjithatë, shumë analistë mendojnë se tensioni dhe përçarja e këtij viti janë më të thella se polemikat e mëparshme.
“Shumë njerëz e tallin Eurovisionin duke thënë se është i parëndësishëm apo thjesht spektakël kitsch, por ky reagim tregon të kundërtën”, thotë William Lee Adams, autor dhe komentator i njohur i Eurovisionit.
“Sot kemi bojkotin më të madh që ka parë ndonjëherë Eurovisioni. Dhe kjo dëmton drejtpërdrejt imazhin e tij, sepse ideja e konkursit është të bashkojë vendet”, shtoi ai.
Edicioni i 70-të i Eurovisionit po mbahet në kryeqytetin austriak pa Spanjën, Holandën, Irlandën, Slloveninë dhe Islandën, të cilat janë tërhequr në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi: “Në përballje me një luftë të paligjshme dhe me gjenocidin, heshtja nuk është një opsion. Ne nuk do të jemi në Vjenë, sepse besojmë se jemi në anën e duhur të historisë.”
Në vend të transmetimit të Eurovisionit, televizioni publik spanjoll TVE po transmeton një program alternativ muzikor, ndërsa televizioni slloven RTV ka zgjedhur dokumentarë për Gazën. Në Irlandë, transmetuesi kombëtar RTÉ po rikthen një episod satirik të serialit “Father Ted”, ku priftërinjtë katolikë marrin pjesë në një konkurs europian kënge dhe marrin “zero pikë”.
Siguri e shtuar dhe tension politik
Motoja tradicionale e Eurovisionit është “Të bashkuar përmes muzikës”, por atmosfera këtë vit është larg festës së zakonshme.
Policia austriake ka shtuar masat e sigurisë, ndërsa protesta dhe tensionet politike kanë shoqëruar gjysmëfinalet. Gjatë performancës së përfaqësueses izraelite, Noam Bettan, në sallë u dëgjuan thirrje “Ndaloni gjenocidin”.
Mbështetësit e Izraelit e konsiderojnë bojkotin si antisemitizëm, ndërsa kritikët e konkursit akuzojnë organizatorët se po përdorin artin për të “zbardhur” veprimet ushtarake në Gaza.
Nga harmonia europiane te konfliktet politike
Eurovisioni u krijua në vitin 1956 nga Unioni Europian i Transmetuesve (EBU), fillimisht si një projekt për të afruar vendet europiane pas Luftës së Dytë Botërore.
Historiani Chris West, autor i librit “Eurovision: A History of Modern Europe Through the World’s Greatest Song Contest”, thotë se konkursi lindi nga ideja “kurrë më luftë”.
Fillimisht politika qëndronte jashtë skenës. Por kjo ndryshoi me përfshirjen e Spanjës dhe Portugalisë gjatë diktaturave të Franco-s dhe Salazar-it.
Në vitin 1964, një aktivist danez pushtoi skenën me pankartën “Bojkotoni Franco-n dhe Salazar-in”. Një vit më vonë Austria bojkotoi konkursin në Madrid.
Gjatë dekadave, Eurovisioni është përdorur si arenë simbolike për konfliktet dhe identitetet kombëtare:
-Greqia dhe Turqia bojkotuan njëra-tjetrën gjatë viteve ’70.
-Portugalia përdori këngën e saj në Eurovision si sinjal për nisjen e revolucionit të vitit 1974.
-Jordania ndërpreu transmetimin gjatë performancës së Izraelit në vitin 1978.
-Luftërat në ish-Jugosllavi sollën një nga momentet më dramatike të konkursit, kur artisti boshnjak Muhamed Fazlagic arriti të largohej nga Sarajeva e rrethuar për të përfaqësuar Bosnjën në Irlandë.
-Në vitet e fundit, konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës ka dominuar skenën politike të Eurovisionit. Rusia u përjashtua në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës.
Sipas Adams, Ukraina e ka përdorur Eurovisionin si një platformë diplomatike: “Ata i trajtojnë këngëtarët si ambasadorë që kujtojnë botën se Ukraina ekziston.”
Muzikë, identitet dhe politikë
Eurovisioni ka qenë gjithashtu një hapësirë e rëndësishme për komunitetin LGBTQ+, sidomos që nga fundi i viteve ’90. Ndërkohë, shumë shtete të Europës Lindore e përdorën konkursin si mënyrë për të afirmuar identitetin europian pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
“Eurovisioni u bë një mënyrë për të qenë europian para se vendet të futeshin në NATO apo Bashkimin Europian”, thotë Chris West.
Pavarësisht polemikave, bojkotit dhe tensioneve, ai beson se konkursi ruan ende një vlerë simbolike për Europën. /Përshtatur nga "The Guardian"
E verteta është se Israeli është shtet Aziatik ne Azi e duhet të marre pjese ne aktivitete kulturale, artistike, sportive më fqinjet e vet. Pse ky privilegj për Izraelitet? Po Australia ç’pune ka që merr pjese ne Eurovision, të shkoje e të marre pjese ne Aziavision e ku di une. Ka pas qene nje shprehje, që kam lindur kerric e di, por nuk dua të vides gomar. Ç’jane keto gozhda Nastradini që ngulin ku tu jepet mundesia?